Më të Fundit

10/recent/ticker-posts

Puritanët


George Whitefield parashikoi që shkrimet Puritane do të vazhdonin të vinin në jetë deri në fundin e kohërave për shkak të përshpirtshmërisë së tyre biblike. Sot, ne po jetojmë në një kohë të tillë.

Interesi në librat Puritanë si rrallëherë është tepër i madh. Në pesëdhjetë vitet e fundit, 150 autorë Puritanë dhe përafërsisht 700 tituj Puritanë janë printuar në anglisht.

Literatura Puritane është shumëfishuar kaq shumë saqë të paktë janë ata libër-dashës që mund të përballojnë të blejnë gjithçka që po publikohet...

Përkufizimi i Puritanizmit

Kush ishin shkruesit Puritanë? Ata nuk ishin vetëm dy mijë predikuesit që u larguan nga kisha e Anglisë nga Akti i Uniformitetit në 1662, por gjithashtu ata ishin ata predikues në Angli dhe Amerikën e Veriut, nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë deri në fillim të shekullit të tetëmbëdhjetë, të cilët punuan për reformimin e kishës dhe për t’i drejtuar njerëzit drejt jetesës së perëndishme në përputhje me doktrinat e reformuara të hirit.
Puritanizmi u rrit nga tre nevoja: (1) nevoja për predikim biblik dhe mësimin e doktrinës së shëndoshë të Reformuar; (2) nevoja për përkushtim biblik dhe personal që theksonte veprën e Frymës së Shenjtë në besimin dhe jetën e besimtarit; dhe (3) nevoja për të restauruar thjeshtësinë biblike në liturgji dhe në qeverisjen e kishës, në mënyrë që jeta e kishës do të nxiste dhe do të ngrinte adhurimin e Perëndisë triun siç përshkruhet në Fjalën e Tij (Gjenialiteti i Puritanizmit [The Genius of Puritanism], 11ff.).

Doktrinalisht, Puritanizmi ishte një lloj Kalvinizmi i fortë, i fuqishëm; nga ana e përvojës, ishte i ngrohtë dhe ngjitës; nga ana ungjillizuese, ishte agresiv, por prapë i butë; nga ana e kishës, ishte teocentrik dhe adhurues; politikisht, synonte të ishte biblik, i balancuar, dhe i lidhur nga ndërgjegjja përpara Perëndisë në marrëdhënie me mbretin, Parlamentin, dhe subjektet; nga ana kulturore, kishte impakt jetëgjatë përgjatë brezave dhe shekujve që pasuan deri më sot (Durston and Eales, eds., Kultura e Puritanizmit Anglez [The Culture of English Puritanism], 1560-1700).

Si të Përfitoni nga Leximi i Puritanëve

Më lejoni t’ju jap nëntë arsye se pse leximi i literaturës Puritane do t’ju ndihmojë shpirtërisht:

1. Shkrimet Puritane ndihmojnë në formimin e jetës nga Shkrimi. Puritanët i donin dhe jetonin Shkrimet e Shenjta... Librat e tyre janë të gjithë me fokus te Fjala; më shumë se 90 përqind e shkrimeve të tyre janë predikime të ripaketuara që janë të pasura me ekspozim të Shkrimit. Shkruesit Puritanë me të vërtetë besonin në mjaftueshmërinë e Shkrimit për jetën dhe perëndishmërinë.

Nëse lexoni Puritanët rregullisht, të fokusuarit e tyre te Bibla do të bëhet ngjitëse. Këto shkrime do t’ju tregojnë si ti dorëzoheni me gjithë zemër mesazhit të Biblës. Ashtu si Puritanët, ju do të bëheni besimtar të Librit të gjallë, duke jehonizuar të vërtetën e John Flavel, i cili tha, “Shkrimet na mësojnë mënyrën më të mirë për të jetuar, mënyrën më fisnike për të vuajtur, dhe mënyrën më ngushëlluese për të vdekur.”

A doni të lexoni libra që ju zhysin te Shkrimet dhe ju mbajnë atje, për ta gdhëndur jetën tuaj nga Sola Scriptura (Vetëm Shkrimi)? Lexoni Puritanët. Lexoni Seritë e Podiumit Puritan Soli Deo Gloria (Lavdia i Takon Vetëm Perëndisë). Ndërsa lexoni, zhvilloni të kuptuarin tuaj duke parë dhe duke studiuar të gjitha Shkrimet e referuara.

2. Shkrimet Puritane tregojnë si të integroni doktrinën biblike në jetën e përditshme. Shkrimet Puritane e bëjnë këtë në tre mënyra:

Së pari, ato i adresohen mendjes suaj. Duke vazhduar traditën e Reformuar, Puritanët refuzuan të vendosnin mendjen dhe zemrën e tyre kundër njëri-tjetrit, por e shikonin mendjen si pallatin e besimit.
“Në konvertim, arsyeja ngrihet lart,” shkroi John Preston.

Puritanët kuptonin që një Krishtërim pa mendim dhe pa arsyetim ushqen një Krishtërim pa shtyllë kurrizore. Një ungjill anti-intelektual shpejt bëhet një ungjill bosh dhe pa formë që kurrë nuk shkon përtej “nevojave,” një gjë kjo që po ndodh në shumë kisha sot. Literatura Puritane është një ndihmesë shumë e madhe për të kuptuar lidhjen jetësore midis asaj që ne besojmë me mendjet tona dhe sesi kjo ndikon në mënyrën që jetojmë. “Drejtësimi Vetëm me anë të Besimit [Justification by Faith Alone]” nga Jonathan Edwards dhe “I Kirshteri i Udhëzuar [The Instructed Christian]” nga William Lyford janë shumë ndihmues për këtë.

Së dyti, shkrimet Puritane konfrontojnë ndërgjegjen tuaj. Puritanët janë mjeshtra për të na bindur rreth natyrës të ligë të mëkatit tonë kundër një Perëndië të pafundëm. Ata shkëlqejnë në ekspozimin e mëkateve specifike, dhe më pas bëjnë pyetje për të bindur për ato mëkate. Siç shkroi një Puritan, “Ne duhet të shkojmë me shkopin e së vërtetës hyjnore dhe të godasim çdo shkurre mbrapa së cilës fshihet një mëkatar, derisa njësoj si Adami që u fsheh, ai të qëndrojë përpara Perëndisë në lakuriqësinë e tij.”

Leximi devocional duhet të jetë konfrontues po aq sa ngushëllues. Ne do të rritemi shumë pak nëse ndërgjegjet tona nuk nxiten dhe drejtohen çdo ditë te Krishti... Në këtë, Puritanët shkëlqejnë. Nëse me të vërtetë doni të mësoni çfarë është mëkati dhe të përjetoni së si mëkati është më keq se vuajtja, lexoni “E Liga e të Ligave [The Evil of Evils]” nga Jeremiah Burroughs dhe “Kthyesi i Sinqertë [The Sincere Convert]” dhe “Besimtari i Shëndoshë [Sound Believer]” nga Thomas Shepard.

Së treti, shkruesit Puritanë vënë në lëvizje zemrën tuaj. Ata shkëlqejnë në ushqerjen e mendjes me substancë solide biblike dhe ata e lëvizin zemrën me ngrohtësi dhe përzemërsi të dashur. Ata shkruajnë për dashurinë për Fjalën e Perëndisë, për dashurinë për lavdinë e Perëndisë, dhe për dashurinë për shpirtrat e lexuesve.

Për libra që në mënyrë të bukur balancojnë të vërtetën objektive dhe përvojën subjektive në Krishtërim... Libra që informojnë mendjen tuaj, konfrontojnë ndërgjegjen tuaj, dhe vënë në lëvizje zemrën tuaj, lexoni Puritanët. Lexoni “Perëndishmëria Praktike [Practical Godliness]” nga Vincent
Alsop.

3. Shkrimet Puritane tregojnë si të lartësoni Krishtin dhe të shikoni bukurinë e Tij. Puritani Thomas Adams shkroi: “Krishti është përmbledhja e të gjithë Biblës...” Po kështu, Puritani Isaac Ambrose shkroi, “Mendoni për Krishtin si vetë substanca, palca, shpirti, dhe qëllimi i të gjitha Shkrimeve.”

Puritanët e donin Krishtin dhe lartësonin bukurinë e Tij.
Nëse do donit ta njihnit Krishtim më mirë dhe ta doni më shumë, zhyteni veten tuaj në literaturën Puritane. Lexoni “Të gëzohesh ne Zotin Jezus [Rejoicing in the Lord Jesus]” nga Robert Asty.

4. Shkrimet Puritane zbulojnë karakterin Trinitarian të teologjisë. Puritanët prireshin nga një ndjesi e thellë e lavdisë së paafundme të një Perëndie Triun... Ata na mësojnë si të qëndrojmë të fokusuar te Perëndia...
Nëse doni të vlerësoni çdo Person të Trinitetit, në mënyrë që të thoni me Samuel Rutherford-in, “Unë nuk e di cilin Person të Trinitetit dua më shumë, por di këtë, unë e dua secilin prej tyre, dhe kam nevojë për të tre bashkë,” lexoni “Bashkësi me Perëndinë [Communion with God]” nga John Owen dhe mbi Trinitetin nga Jonathan Edwards.

5. Shkrimet Puritane ju tregojnë si të merreni me sprovat. Puritanizmi u rrit nga një sprovë e madhe midis të vërtetës së Fjalës së Perëndisë dhe armiqve të saj. Krishtërimi i Reformuar ishte duke u sulmuar në Britaninë e Madhe, njësoj si Krishtërimi i Reformuar është duke u sulmuar sot. Puritanët ishin ushtarë të mirë në konflikt, duke duruar vështirësi të mëdha dhe duke vuajtur shumë. Jetët dhe shkrimet e tyre qëndrojnë gati për të na armatosur për betejat tona, dhe të na inkurajojnë në vuajtjen tonë. Puritanët na mësojnë sesi kemi nevojë për sprovat për të na përulur (Ligji i Ripërtërirë 8:2), për të na mësuar se çfarë është mëkati (Sofonia 1:12), dhe sesi kjo na sjell te Perëndia (Osea 5:15)...

6. Shkrimet Puritane shpjegojnë përshpirtshmërinë e vërtetë. Puritanët theksojnë përshpirtshmërinë e ligjit, luftën shpirtërore kundër mëkatit, frikën ndaj Perëndisë, çudinë e hirit, artin e meditimit, tmerrin e ferrit, dhe lavditë e qiellit. Nëse doni të jetoni thellë si i krishterë, lexoni “Thesari i Zemrës [Heart Treasure]” nga Oliver Heywood. Lexoni Puritanët devocionalisht, dhe pastaj lutuni të bëheni si ata. Bëni pyetje si: A jam unë, si Puritanët, i etur për ti dhënë lavdi Perëndisë Triun? A jam i motivuar nga e vërteta biblike dhe zjarri biblik? A kam të njëjtën pikëpamje për nevojën jetësore të konvertimit dhe për të qënë i veshur me drejtësinë e Krishtit?

7. Shkrimet Puritane tregojnë sesi të jetosh me anë të besimit. Puritanët aplikojnë çdo subjekt që shkruajnë për “përdorimet”praktike... Shkrimet e tyre mund t’ju ndihmojnë pa masë për të jetuar një jetë që fokusohet te Perëndia në çdo fushë...

8. Shkrimet Puritane mësojnë rëndësinë dhe parësinë e predikimit. Për Puritanët, të predikuarit ishte pika më e lartë e adhurimit publik.

Nëse doni që ti ndihmoni ungjillorët të rikuperojnë podiumin dhe një pikëpamje të lartë për shërbesën në ditët tona, lexoni predikimet Puritane. Lexoni “Arti i Profetizimit [The Art of Prophesying]” nga William Perkins dhe “Pastori i Reformuar [The Reformed Pastor) nga Richard Baxter.

9. Shkrimet Puritane tregojnë si të jetosh në dy botë. Puritanët thanë që ne duhet ta kemi qiellin“në syrin tonë” përgjatë shtegëtimit tokësor. Ata i merrnin seriozisht pasazhet e Dhiatës së Re që thonë që ne duhet ta mbajmë “shpresën e lavdisë” përpara mendjeve tona për të udhëhequr dhe për të formuar jetët tona këtu në tokë. Ata e shikonin këtë jetë si “palestër dhe dhomë veshje ku përgatitemi për qiellin,” duke na mësuar që përgatitja për vdekjen është hapi i parë për të mësuar që të jetosh me të vërtetë (Packer, Quest, 13).

Nëse doni të jetoni në këtë botë në dritën e një bote tjetër që do të vijë, lexoni Puritanët. Lexoni “Jeta e Përjetshme e Shenjtorit [The Saint’s Everlasting Life]” nga Richard Baxter dhe “Parajsa e Hapur [Heaven Opened]” nga Richard Alleine.

Ku të Fillosh

Nëse ju sapo keni filluar të lexoni Puritanët, filloni me “Frika e Perëndisë [The Fear of God]” nga John Bunyan, “Të Ruash Zemrën [Keeping the Heart]” nga John Flavel, dhe “Arti i Kënaqjes Hyjnore [The Art of Divine Contentment]” nga Thomas Watson, pastaj shkoni te veprat e John Owen, Thomas Goodwin, dhe Jonathan Edwards.

Whitefield kishte të drejtë: Puritanët, megjithëse prej shumë kohësh të vdekur, akoma flasin përmes shkrimeve të tyre... Leximi i Puritanëve do t’ju vendosë dhe do t’ju mbajë në shtegun e duhur teologjikisht, nga ana e përvojës dhe praktikisht. Siç shkruan Packer, “Puritanët ishin më të fortë atje ku protestantët sot janë më të dobët, dhe shkrimet e tyre mund të na japin më shumë ndihmë të vërtetë se mësuesit e tjerë të krishterë, të së shkuarsës ose të së tashmes, që nga ditët e apostujve” ( Reformation & Revival, 44).
Pjesë nga “Pse duhet të lexoni Puritanët” nga Joel Beke

Post a Comment

0 Comments