Dhuntia e Gjuhëve në Kishën pas Apostujve
(Vitet 100-400 pas Krishtit)
Cleon L. Rogers
Publikuar fillimisht në Prill, 1965.
Është shumë e qartë në
mësimin e Palit që gjuhët do të pushojnë (I Kor. 13:8), por, sigurisht,
problemi i madh është kur do të ndodhë kjo. Ky studim nuk ka si synim të
trajtojë përgjigjet e mundshme për pyetjen (1), por të shqyrtojë dëshmitë nga
etërit e kishës nga vitet 100 deri 400 pas Krishtit për të përcaktuar nëse
gjuhët praktikoheshin akoma siç ishin në kohën e apostujve. Nëse gjuhët janë të
rëndësishme siç shumë mësojnë, atëhere udhëheqësit e Kohës Pas Apostujve duhet
ta kenë theksuar këtë dhe ta kenë urdhëruar shumë fort praktikimin e tyre. Por
megjithatë, dëshmitë nuk tregojnë që gjuhët kishin një vend të rëndësishëm në
kishë nga vitet 100 deri 400 pas Krishtit.
DËSHMIA E ETËRVE APOSTOLIKE
Ndërsa ka prova të qarta nga
Shkrimi që dhuntia e gjuhëve ishte në veprim gjatë kohës së apostujve (2),
është tepër domethënëse që dhuntia, askund, nuk përmëndet tërthorazi, lihet të
kuptohet, ose të gjehet në Etërit Apostolikë. Dikush mund të kundërshtojë që ky
është thjesht një argument nga heshtja e tyre dhe ka po aq mbështjetje për
vazhdimin e dhuntisë sa edhe për pushimin e dhuntisë. Megjithatë, rëndësia e
kësaj heshtje merr një peshë më të madhe kur shihet në dritën e fakteve të
caktuara.
Së pari, disa prej Etërve
Apostolikë shkruan nga dhe drejt kishave ku dhuntia ishte praktikuar gjatë
kohës së apostujve. Rasti më i shquar i kësaj është Klementi i Romës dhe letra
e tij drejtuar kishës së Korintit. Nëse kishte një kishë të hershme ku gjuhët
ishin praktikuar, ishte kjo. Qartazi, kjo ishte një nga problemet kryesore që
Pali duhej të luftonte në letrën e tij ndaj tyre (3); por Klementi i Romës
asnjëherë nuk e përmënd dhuntinë, madje edhe kur foli për trashëgiminë e tyre
shpirtërore (4). I njëjti problem i mosbindjes ndaj autoritetit ishte i
pranishëm (5), por ai i gjuhëve siç duket qartë ishte zgjidhur nga pushimi i tyre.
Ignatiusi i shkroi kishës së Efesit ku të krishterët e parë flisnin në gjuhë,
por edhe ai, gjithashtu, nuk ka asgjë për të thënë në lidhje me dhuntinë (6).
Së dyti, mbulimi i gjërë
gjeografik i Etërve Apostolikë e bën heshtjen e tyre tepër domethënëse. Klementi
i shkroi Korintit nga Roma; Polikarpi, peshkopi i Smirnës, u shkroi atyre në
Filipi, Ignatiusi i Antiokit i shkroi kishave të Efesit, Magnesias, Tralles,
Romës, Smirnës, Filadelfias; letra e Barnabës me shumë gjasa u shkrua nga
Aleksandria (7); Bariu i Hermas mund të jetë shkruajtur nga Roma; Papias ishte
nga Hierapolisi në Frigji; the Didahi mund të jetë shkruar nga Egjipti ose
ndoshta nga Siria ose Palestina (8); dhe Letra e Diogenit ndoshta u shkruajt
nga Aleksandria. Kjo praktikisht mbulon çdo zonë domethënëse të Perandorisë
Romake, dhe patjetër që nëse dhuntia e gjuhëve ishte e shtrirë kudo dhe me
bollëk, me siguroi që do të ishte përmëndur në ndonjë mënyrë.
Së treti, karakteri doktrinal
i Etërve Apostolikë e bën heshtjen e tyre në lidhje me gjuhët tepër
domethënëse. Ndonëse ato nuk u shkruajtën si libër mësimi mbi teologjinë,
shkrimet e tyre praktikisht mbulojnë çdo doktrinë thelbësore që mësohet në
Dhiatën e Re (9). Përmëndet çdo gjë rreth teologjisë dhe deri te eskatologjia,
por prapësëprapë nuk ka asnjë dëshmi për ndonjë diskutim ose trajtim të
gjuhëve.
Së katërti, qëllimi i shumë
prej shkrimeve që lënë jashtë gjuhët e bën tepër domethënëse. Për shembull,
qëllimi i letrës ndaj Diognetusit ishte për t'ju përgjigjur pyetjeve të
Diognetusit në lidhje me Krishtërimin (10). Shkruesi vazhdon të tregojë
marrëzinë e idhujtarisë (1-2), pamjaftueshmërinë e Judaizmit (3-4), dhe
epërsinë e Krishtërimit (5-12) (11). Kjo do të kishte qënë një mundësi e
shkëlqyer për të paraqitur dhuntinë e gjuhëve si një provë për karakterin e
mbinatyrshëm të Krishtërimit. Siç u përmënd edhe më parë, Klementi i Romës
shkroi për të korrigjuar gabimet shpirtërore në Korint, por ai nuk flet fare
për gjuhët. Ireneu tha në lidhje me letrën e Polikarpit ndaj Filipianëve që ata
që “zgjedhin të bëjnë kështu, dhe janë në ankth për shpëtimin e tyre, mund të
mësojnë karakterin e besimit të tij, dhe predikimin e së vërtetës” (12).
Polikarpi gjithësesi, në asnjë vend nuk tregon që gjuhët janë pjesë normale e
Krishtërimit; në fakt, ai nuk e prek fare temën e gjuhëve.
Nga këto vëzhgime, është e
qartë që heshtja e Etërve të Kishës nuk mund të injorohet si të ishte pa ndonjë
pasojë.
DËSHMIA E JUSTIN MARTIRIT
Justin Martiri, që lindi
rreth vitit 100 pas Krishtit dhe u martirizua diku mes viteve 163 dhe 167 (13),
udhëtoi shumë në Perandorinë Romake dhe duhet të ketë rënë në kontakt me këtë
fenomen të të folurit në gjuhë. Ai kishte lindur në Samari, ishte kthyer në
besim në Efes, dhe udhëtoi nëpër perandori si një Mësues i krishterë (14). Pavarësisht
këtij udhëtimi dhe mësimi gjithëpërfshirës, Justini nuk ka asgjë për të thënë
në lidhje me dhuntinë e gjuhëve. Megjithatë, ka një pjesë në veprën e tij
“Dialog me Trifon” e cila mund të japë idenë që Justini kishte njohuri për
gjuhët. Duke argumentuar që dhuntitë profetikë të Judenjve tani u janë
transferuar të krishterëve, ai thotë:
“Sepse dhuntitë profetike
qëndrojnë me ne, edhe në kohën e tanishme. Dhe prandaj ti duhet të kuptosh që
[dhuntitë] më parë midis kombit tënd na janë transferuar neve”(15). Megjithatë,
Jackson vë re që “nuk është e sigurt që bëhet fjalë për të folurit në
gjuhë”(16). Ka një numër gjërash që e mbështesin këtë dhe e bëjnë pothuasje të
sigurt që Justini nuk kishte në mendje dhuntinë e gjuhëve. Së pari, Justini
deklaron që dhuntitë për të cilat po flet ishin më parë midis popullit të
Izraelit. Kjo me patjetër që nuk do t'i aplikohej kësaj dhuntie sepse është
përdorur vetëm në lidhje me kishën (17). Së dyti, kur Justini flet për dhuntitë
ai përmënd shtatë, por dhuntia e gjuhëve nuk është përfshirë (18). Në dritën e
këtyre fakteve është shumë e qartë që Justini nuk kishte në mendje dhuntitë e
gjuhëve.
Ashtu siç ishte domethënëse
heshtja e Etërve të Kishës, po kështu është e rëndësishme edhe heshtja e Justin
Martirit, veçanërisht në dritën e fakteve të caktuara. Fakti që Justini udhëtoi
gjerësisht por prapë së prapë nuk bën asnjë referencë për gjuhët do të tregonte
që ose ai nuk ishte ndeshur asnjëherë me fenomenin ose atij nuk i kishte lënë
mbresa dhuntia nëse ishte ndeshur me të. Një fakt tjetër është që megjithëse ai
ishte një mësues i besimit të krishterë, heshtja e tij që dhuntia nuk ishte një
pjesë e rëndësishme përbërëse e doktrinës së krishterë është domethënëse. Nëse
dhuntia ishte e spikatur, pse një burrë si ai nuk i japin asnjë rëndësi? Një
fakt tjetër që i jep peshë heshtjes së Justinit është natyra e shkrimeve të
tij. Në shkrimin e tij “Dialog me Trifon”, ai tregon epërsinë e Krishtërimit
mbi Judaizmin dhe do të kishte qënë një mundësi e shkëlqyer për të përmëndur
dhuntinë e gjuhëve si një provë të tezës së tij (19). Kur ai shkruan “Fjalimi
Nxitës ndaj Grekëve”, ai deklaron qartë që ai do të shqyrtojë me shumë saktësi
Krishtërimin dhe fetë pagane. Duke krahasuar mësimet e të dyjave ai deklaron që
do të demonstrojë që Krishtërimi është feja e vërtetë (20). Një nga gjërat më
të forta që ai mund të përdorte do të kishtë qënë dhuntia e gjuhëve, por ai as
që nuk i përmënd ato.
DËSHMIA E IRENEUT
Dëshmia e Ireneut është shumë
e rëndësishme sepse deklarata e tij në lidhje me gjuhët është përdorur si një
provë të ekzistencës së dhuntisë në shekujt pas Apostujve (21). Ireneu thotë
“ne dëgjojmë shumë vëllezër në kishë … të cilët përmes Frymës flasin çdo lloj
gjuhe”(22).
Përpara se të konsiderojmë
këtë deklaratë më nga afër, duhet të shqyrtojmë sfondin e Ireneut. Megjithëse
shumë pak dihet për jetën e hershme të Ireneut, ato copëza të pakta
informacioni që janë të disponueshme janë shumë jetësore. Si një djalë që u
rrit në Smirnë ai dëgjoi Polikarpin dhe u ndikua shumë nga ai (23). Diku rreth
vitit 177 Ireneu udhëtoi nga Azia e Vogël drejt Lionit në Gali ku ai u bë një
plak (presbiter) nën Pothinusin që gjithashtu ishte trajnuar nga Polikarpi.
Gjatë kësaj kohe ai ishte dëshmitar i persekutimit mizor në Lion dhe pa mikun e
tij besnik, Pothinusin, të vritej brutalisht (24). Ndërsa ishte akoma një plak
(presbiter), ai u dërgua në Romë me një letër për peshkopin, Eleutherus. Kjo
ishte një letër e shkruar nga një grup Montanistësh në përpjëkje për të bindur
Eleutherusin të kishte një qëndrim të mirë ndaj tyre (25). Pas vdekjes së
Pothinusit Ireneu u bë peshkopi i Lionit ku shërbeu deri në momentin që edhe ai
vdiq si martir.
Në lidhje me studimin e
tanishëm, duhet të vihen re dy gjëra për sfondin e Ireneut. Së pari, ai erdhi
nga Azia e Vogël dhe pastaj shërbeu në Lion. Është e rëndësishme të kuptojmë që
në Azinë e Vogël dhe në Siri kishte shumë infuenca të pashëndetshme mbi
Krishtërimin (26), dhe veçanërisht influenca e Montanusit dhe pneumatologjisë
së tij të shtrembëruar (27). Kjo shoqëri me elementin Montanist nuk pushoi kur
Ireneu arriti në Lion, sepse kishte një lidhje të ngushtë midis kishave në Lion
dhe atyre në Azinë e Vogël (28). Përveç Pothinusit dhe Ireneut nga Azia e
Vogël, gjithashtu midis atyre që banonin në Lion ishin edhe Aleksandri nga
Frigjia dhe Ataiusi nga Pergamoni (29). Është në këtë dritë që duhet të shihet
deklarata e Ireneut në lidhje me gjuhët. Nga sfondi i tij ai kishte dëgjuar
qartë teprimet shpirtërore të atyre që ishin influencuar nga Montanusi.
Gjëja e dytë që duhet të vëmë
re për sfondin e Ireneut është që ai u infleuncua nga Polikarpi. Për shkak të
kësaj shoqërie të ngushtë, do të ishte normale që ai të kishte marrë shumë prej
njohurisë së tij për doktrinën e krishterë nga peshkopi moshuar i Smirnës (31).
Është e dukshme që gjuhët nuk kishin pjesë në shkrimet e Polikarpit, dhe çfarë
është më domethënëse është që ato nuk zinin një pjesë të madhe të teologjisë së
Ireneut. Çështja është, nëse dhuntia do të ishte me rëndësi të madhe, si
mësuesi ashtu edhe nxënësi duhej ta kishin theksuar atë. Por ata nuk e bënë
këtë.
Me këto gjëra në mendje mund
të shqyrtojmë deklaratën e Ireneut në lidhje me gjuhët. Së pari, vini re që
Ireneu nuk thotë që ai fliste në gjuhë. Së dyti, ai shumë qartë nuk i
kategorizon ata afër tij se kishin dhuntinë, por ai përdori shumësin “ne
dëgjojmë.” Coxe tregon që gjuha e vjetër Latine përdor audivimus, “ne
kemi dëgjuar” (32). Së treti, për shkak të shoqërimit të Ireneut me Montanistët
(33), Robertson ka të drejtë kur thotë, “Deklarata e tij e paqartë mund të vijë
nga disa raportime nga Montanistët e Azisë së Vogël. . . (34). Nga këto gjëra
dalim në përfundimin që Ireneu donte të thoshte që ai dhe ata rreth tij në një
kohë të shkuar kishin dëgjuar për gjëra si ato që dëgjoheshin në qarqet Montaniste.
Në lidhje me të gjitha këto gjëra duhet të konkludohet që nga vepra e Ireneut
mund të thuhet që me siguri shtytja dhe theksi kryesor i teologjisë së tij nuk
ishte mbi dhuntinë e gjuhëve (35).
DËSHMIA E TERTULIANIT
Tertuliani, teologu i njohur
i Afrikës së Veriut, ishte një tjetër që ra në infulencën e Montanusit.
Megjithëse ai udhëtoi gjerësisht dhe ishte një dijetar dhe shkollar i shquar,
referencat e tij për dhuntinë e gjuhëve janë të pakta dhe tradhëtojnë lidhjen e
tij me Montanizmin. Duke u përpjekur për të treguar që shpirti ka një lloj
cilësie të të qënit fizik, që konsiston nga materia, ai përshkruan atributet e
shpirtit, një nga të cilat është aftësia për të zotëruar dhunti shpirtërore.
Për të ilustruar pikën, ai citon shembullin e një gruaje Montanisteje që
thoshte se kishte biseduar me engjëjt dhe se kishte përvoja të tjera ekstazie
(36). Ai në fakt nuk përmënd dhuntinë e gjuhëve këtu, por ai përshkruan atë që
të kishte “dhuntitë e zbulesës që ajo përjeton në Frymë nga vegimi. .”(37). Nëse
kjo është dëshmitare për aktivitetin e dhuntisë, është një dëshmi e dobët dhe
me patjetër që është larg nga përvoja normale e Krishtërë të asaj kohe.
Tertuliani bëri një referencë
specifike për dhuntitë e gjuhëvë në veprën e Tij “Kundër Markionit” (38). Madje
edhe këtu ai nuk thotë asnjë gjë rreth gjuhëve në këtë kohë. Ai merr letrat e
Palit dhe tregon vlerat apologjetike të gjetur në çdo letër. Ai i merr ato
letër për letër dhe kapitull për kapitull. Kur ai vjen të dhuntitë shpirtërore
siç përmënden te 1 Korintasve 12-14, ai pranon që të gjithë nuk kanë të njëjtën
dhunti, por që Fryma ka dhënë dhunti të ndryshme ndaj njerëzve të ndryshëm
(39). Ai thjesht trajton çfarë Pali ka thënë rreth dhuntive dhe nuk bën asnjë
referencë për përdorimin e dhuntisë në kohën e tij. Ai i bën thirrje Markionit
ti bëjë këto dhunti siç u shfaqën nga apostujt, por nuk thotë që ai ka parë ose
di për ndonjë që e ushtron dhuntinë.
DËSHMIA E MONTANUSIT
E vetmja deklaratë e qartë në
lidhje me manifestimin e gjuhëve gjendet në përshkrimin e Eusebiusit për
aktivitetin e Montanusit. Ai shkruan: “Kështu ai u mor në frymë, dhe u soll në
një lloj ekstazie të furishme dhe të çrregullt, përçart, dhe duke folur, dhe
duke shqiptuar gjëra të çuditshme dhe duke shpallur çfarë ishte e kundërt me
institucionet që kishin mbizotëruar në kishë. . .” (40). Megjithëse termi
gjuhët nuk është përdorur qartë, është shumë e dukshme, siç vë re Lietzmann, që
në përvojë Montanusi “tregoi të gjitha manifestimet e glossalalia” (41).
Domethënia e dëshmisë së Montanusit
shihet në këto vëzhgime. Së pari, ai konsiderohej heretik. Ai nuk vepronte
sipas Shkrimeve dhe madje edhe personat rreth tij e pranonin këtë (42). Së
dyti, herezia e tij e veçantë ishte në sferën e Pneumatologjisë dhe theksimit
të tij mbi dhuntitë (43). Por prapë së prapë edhe me gjithë këtë theksim,
aktiviteti Montanist konsiderohej i dështuar dhe shumë larg dhuntivë të
ushtruara nga apostujt (44). Së treti, Lietzmann tregon që fillimisht ky
fenomen ekstazie dhe glossalalia nuk u përhap me shpejtësi dhe gjerësisht (45).
Kjo duket se tregon që ajo nuk ishte pjesë e përvojes së zakonshme të
krishterë. Nëse kjo do të kishte qënë një praktikë e zakonshme, atëhere do të
kishte qënë me shumë e natyrshme për shumë ta pranonin këtë si pjesë normale të
jetës së krishterë.
DËSHMIA E ORIGENIT
Ndërkohë që e gjithë
teologjia e Origenit mund të mos jetë ortodokse (e drejtë, biblike), ai njihet
nga të gjithë se ishte një nga dijetarët më të aftë të kohës së tij. Ai jo
vetëm që ishte i njohur me çështjet e kohës së tij përmes të lexuarit të tij të
madh, por ai vetë udhëtoi gjerësisht dhe kishte studentë nga e gjithë bota që
merrnin pjesë në klasat e tij. Nëse dhuntia ishte e gjithëpërhapur ose
praktikohej ndopak, me patjetër që Origeni duhej të kishte ditur diçka rreth
saj dhe do ta kishte përmëndur atë diku në shkrimet e tij voluminoze. Por ai nuk ka asnjë deklaratë të qartë në
lidhje me dhuntinë dhe dëshmia e tij tregon që dhuntitë e jashtëzakonshme
kishin pushuar. Në përgjigjen e tij ndaj Kelsusit Origeni ka diçka për të thënë
rreth dhuntive shpirtërore (46). Kelsusi bëri akuzën që profetët e Dhiatës së
Vjetër janë si disa njerëz në Finiki dhe në Palestinë që bëjnë disa lëvizje dhe
veprime të marra, dhe pastaj thonë që kanë një profeci. Ai është cituar nga Origeni
të thoshte: “ndaj këtyre premtimeve janë shtuar fjalë të çuditshme, fanatike,
dhe të pakuptueshme, për të cilat asnjë person racional nuk mund tu gjejë
kuptim: sepse kaq të errta janë ato, saqë nuk kanë fare kuptim; por ato i japin
mundësi çdo të marri ose mashtruesi për t'i përdorur ato sipas qëllimeve të
tyre” (47). Përgjigjja e Origenit ndaj një akuze të tillë është shumë me vend
në këtë çështje. Ai thotë që megjithëse Fryma e Shenjtë dha shenja dhe
demonstrime të jashtme të prezencës së Tij në fillim të shërbesës së Krishtit
dhe pas ngritjes së Tij, këto gjëra ishin venitur dhe nuk janë më të shtrira
(48). Për më tepër ai thotë që Kelsusi po flet në mënyrë të gabuar kur
përshkruan për atë që kishte dëgjuar: “Sepse asnjë profet që ka ndonjë
ngjashmëri me profetët e lashtë nuk është shfaqur në kohën e Kelsusit” (49).
Ajo që Origeni po thotë është që nuk janë më në veprim ndonjë nga këto dhunti!
Origeni nuk thotë që dhuntia e gjuhëve po lulëzon në kohën e tij, por që dhunti
të tilla ishin venitur!
DËSHMIA E KRISOSTOMIT
Ati i fundit i Kishës që
konsiderohet është ekzegjetuesi i aftë dhe predikuesi i shquar, Krisostomi.
Pasi studioi dhe shërbeu rreth qytetit të Antiokut ai u bë patriarku i
Kostandiopojës. Si një udhëheqës fetar në qytetin e madh të Kostandiopojës, ai
sigurisht që ishte në kontakt me të krishterë dhe kisha nga e gjithë
perandoria. Ndërsa ai flet në mesazhin e tij mbi dhuntitë shpirtërore te I
Korintasve, ai rrëfen që “i gjithë vendi është shumë i panjohur,” dhe shton:
“por panjohuria vjen nga padituria jonë e fakteve të referuara dhe nga pushimi
i tyre, në atë kohë ato ndodhnin, por tani nuk ndodhin më” (50). Këtu është
deklarata e qartë nga një ekzegjetues dhe udhëheqës fetar i shekullit të katërt
që deklaron që gjuhët nuk praktikoheshin më në kohën e tij. Dhuntia e gjuhëve
nuk ishte një ndodhi normale në botën e krishterë, por ishte e panjohur! Figura
dhe pozicioni i Krisostomit e bëjnë dëshminë e tij jashtëzakonisht shumë të
rëndësishme. Qartazi, të paktën në këtë kohë, dhuntia e gjuhëve ishte shuar.
DËSHMIA E TË KRISHTERËVE TË
ZAKONSHËM
Dikush mund të kundërshtojë
se janë konsideruar teologët dhe udhëheqësit e kishës dhe ata nuk reflektojnë
karakterin e Krishtërimit të zakonshëm. Megjithëse do të ishte e pamendueshme
që udhëheqësit e kishës nuk do të vinin re një fenomen të tillë si gjuhët,
është e pranuar që disa apologjetistë të trajnuar mund të mos reflektojnë një
pamje të vërtetë të Krishtërimit. Megjithatë, Carpenter tregon që janë Etërit
Apostolikë ata që reflektojnë Krishtërimin e zakonshëm të shekujve të dytë dhe
të tretë (51). Siç u vu re më parë, Etërit Apostolikë nuk bëjnë asnjë referencë
për dhuntinë. Madje edhe formula magjike e përdorur nga disa të krishterë të
hershëm dhe e ruajtur mbi papirus nuk formon një paralele për dhuntinë e
gjuhëve pavarësisht faktit që disa nga fjalët janë të pakuptueshme (52).
PËRFUNDIM
Pas shqyrtimit të dëshmisë të
udhëheqësve të hershëm të krishterë shërbesa e të cilëve praktikisht përfaqëson
çdo zonë të Perandorisë Romake afërsisht nga vitet 100 deri 400, duket që
dhuntitë e mrekullive të shekullit të parë ishin shuar dhe nuk ishin më të
nevojshme për të vendosur Krishtërimin (53). Për më tepër, është shumë e qartë
që edhe nëse dhuntia do të ishte në ekzistencë, pavarësisht të gjitha dëshmive që
thonë të kundërtën, nuk ishte as e përhapur as diçka normale për jetën e
krishterë. E vetmja referencë e qartë për ndonjë gjë që i ngjason fenomenit
është e lidhur me heretikun Montanus dhe ata të influencuar nga pikëpamjet e
tija të gabuara të Frymës. Të gjitha dëshmitë drejtojnë te e vërteta e
profecisë së Palit kur ai thotë “gjuhët do të pushojnë” (I Kor. 13:8).
(1) Shih Stanley D.
Toussaint, “Një Korintasit Trembëdhjetë dhe Pyetja mbi Gjuhët,” Bibliotheca
Sacra, 120:311-16, October,
1963. Për një përfundim
ndryshe, shih William G. MacDonald, “Glossalalia në Dhiatën e Re,” Bulletin of
the Evangelical
Theologeca, 7:66, Spring,
1964.
(2) Veprat 2, 8, 10, 19; I
Kor. 12, 14.
(3) Shih Eduard Schweizer,
“The Service of worship,” Interpretimi, 13:403, Tetor, 1959. Note also I
Corinthians 12-14.
(4) Klementi i Romës, Ndaj
Korintasve, I, II.
(5) Ibid., XLII-XLIV.
(6) As Pali nuk e përmënd
dhuntinë në letrën e tij drejtuar Efesianëve, por kjo mund të ketë qënë për
shkak se ishte një letër qarkulluese ose ndoshta dhuntia tashmë kishte pushuar.
(7) Shih J. B. Lightfoot,
Etërit Apostolikë, f. 240.
(8) Ibid., p. 216.
(9) Shih Adolf Harnack,
Historia e Dogmës, I, 218-22; Reinhold Seeberg, Textbook of the History of
Doctrine, I, 55-86; J. L. Neve,
Një Histori e Mendimit të
Krishterë, I, 34-43.
(10) Letra ndaj Diognetusit,
I.
(11) Cf. Earl Cairns,
Krishtërimi Përmes Shekujve, f. 81.
(12) Ireneu, Kundër Herezive,
III, 3-4.
(13) Kr. Eusebius,
Ecclesiastical History, IV, 163, 7-8.
(14) Kr. “Justin Martiri,”
Encyclopedia Britannica (1962 ed.) XIII, 213, Apologjia e tij u shkruajt nga
Roma rreth vitit 150, dhe Dialog me Tifon e tij u shkruajt nga Efesi.
0 Comments