Më të Fundit

10/recent/ticker-posts

Zakonet e Lutjes të Xhorxh Mjullerit (George Mueller)


Jeta e Xhorxh Mjullerit qëndron si dëshmi e fuqisë dhe e besnikërisë së Perëndisë tonë të plotfuqishëm. A ka ndonjë që e vë në dyshim akoma që Perëndia i përgjigjet lutjes? Le të mësojnë nga Xhorxh Mjulleri. A ka ndonjë që dyshon nëse Perëndia është në gjendje të bëjë përtej asaj që kërkojmë apo mendojmë? Prezantoni ata me Xhorxh Mjullerin. 
 
Ja ku është njeriu që dëshiroi ta jetonte jetën e tij në një mënyrë të tillë që “njerëzit mund të shohin që Perëndia është akoma besnik dhe që akoma i dëgjon lutjet.”1 Me hirin e Perëndisë kjo është tamam jeta që jetoi Xhorxh Mjulleri. 
 
Ai lindi në Prusi në shtator të 1805. Sigurisht që nuk kishte diçka të veçantë në rininë e tij që të bënte të mendoje që kur të rritej ai do të bëhej një njeri i madh i Perëndisë. Në fakt duke parë fëmijërinë e tij do të mendoje të kundërtën. Ai nuk lindi në familje të perëndishme. Babai i tij i “edukoi fëmijët e tij me parimet e botës.”2 Në njëzët vjetët e para të jetës së tij, Xhorxhi jetoi në mënyrë ekstreme një jetë mëkatare. Ai ishte hajdut. Në moshën dhjetëvjeçare, në mënyrë të vazhdueshme vidhte para nga babai i tij. Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç e fut në burg për mashtrim dhe vjedhje. Ai vidhte para nga miqtë e tij dhe madje i vodhi para edhe pastorit të tij. Xhorxhi nuk ishte vetëm hajdut, ai ishte gjithashtu hipokrit. Babai i e tij e dërgoi në shkollë për tu trajnuar për tu bërë pastor sepse ai e dinte që pastorët paguheshin mirë. Ndërkohë që ishte në shkollë Xhorxhi studoi shumë, por vazhdoi të jetonte në mëkat. Ai mbante formën e besimit, por nuk kishte zemër për Krishtin. “Tre apo katër ditë para se të konfirmohesha dhe kështu të pranohesha të merrja pjesë në Darkën e Zotit, kisha rënë në imoralitet të madh dhe pikërisht ditën para konfirmimit tim kur isha në dhomën e vogël me priftin për të rrëfyer mëkatin tim, pas një riti të zakonshëm e mashtrova…”3 Ai shpesh merrte vendim të jetonte një jetë më të mirë, por nuk kishte vlërë shumë. Ai nuk donte t’ia dinte për Fjalën e Perëndisë. Xhorxhi shkruan: “Nuk kisha Bibël dhe nuk kisha lexuar ndonjë gjë për një vit të tërë. Shkoja në kishë, por rrallë; por nga fuqia zakonit merrja pjesë në Darkën e Zotit dy herë në vit. Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë ungjillin. Kurrë nuk kisha takuar ndonjë që ta kishte me gjithë mend të jetonte sipas Shkrimit të Shenjtë me ndihmën e Perëndisë. Me pak fjalë, nuk kisha idenë më të vogël që kishte ndonjë person tjetër që në të vërtetë ishte ndryshe nga unë.”4

Thjesht duke parë rininë e Xhorxhit, shumë do të mendonin që ai ishte rast i humbur. Jo për Perëndinë. 
 
Rreth moshës njëzet e një vjeç, jeta e Xhorxhit ndryshoi në mënyrë tërësore. Një nga miqtë e tij e mori me vete në një studim të vogël Bible që bëhej në shtëpinë e një të krishteri të vërtetë. Atje ai dëgjoi të predikohej Fjala për herë të parë dhe nuk ishte më kurrë njësoj. Ndërsa po shkonte në shtëpi pas studimit të Biblës, ai i bëri këtë vlerësim mikut të tij: “Gjithçka që kemi parë gjatë udhëtimit për në Zvicër dhe të gjithë kënaqësitë e mëparshme janë asgjë në krahasim me këtë mbrëmje.”5 Ai filloi të pëlqente shumë studimin e Shkrimit dhe lutjen. Ngadalë por sigurtë ai ponoi në heqjen e praktikave të tij të vjetra mëkatare dhe në veshjen e drejtësisë. Ai zhvilloi një pasion të madh për të dëshmuar dhe kishte dëshirë të madhe për bashkësi me besimtarët. 
 
Gjatë kësaj kohe Perëndia i dha Xhorxhit dëshirë të madhe për tu bërë misionar. Më në fund vajti në Londër si misionar për Judenjtë. Pas disa vitesh u bë pastor i një kishe të vogël. Ai me gjithë zemër iu përkushtua autoritetit të Shkrimit dhe predikimi dhe jeta e tij ishte dëshmi e kësaj të vërtete. Ai jetoi në bindje të plotë ndaj Biblës dhe i zuri besë Perëndisë për nevojat e tij të përditshme. 
 
Jo shumë kohë pasi ishte shpërngulur në Angli, Perëndia e drejtoi Xhorxhin të themelonte Shoqërinë e Njohurisë së Shkrimit me qëllim që të mësonte të humburit për Perëndinë. Perëndia e përdori shoqërinë për të shpërndarë rreth 2.000 000 Bibla dhe 111 000 000 fletushka për të udhëzuar 121 683 studentë dhe për të ndihmuar 115 misionarë me kosto totale mbi një milion dollarë. 
 
Megjithatë Xhorxhi mbahet mend më shumë për hapjen e jetimoreve. Ai themeloi këto jetimore me qëllimin e madh të inkurajimit të besimtarëve për t’i zënë besë dhe për t’iu bindur Perëndisë pavarasisht se cila ishte kostoja. Ai shkroi: “Shpirti im ishte i etur të ishte një instrument në forcimin e besimit të tyre, jo vetëm duke u dhënë atyre shembuj nga Fjala e Perëndisë në lidhje me gadishmërinë dhe aftësinë për të ndihmuar të gjithë ata që mbështeten në Të, por tu tregonte atyre me prova që Ai është i njëjtë edhe në ditën e sotme.”6 Prandaj ai refuzoi të kërkonte ndonjëherë para apo ti tregonte ndokujt tjetër gjendjen e tij financiare përveç Perëndisë. Për gjatë jetës së tij, Perëndia siguroi pothuajse pesë million dollarë për këto jetimore që mbanin mbi dhjetë mijë jetimë. 
 
Ne mund të mësojmë shumë nga Xhorxh Mjuller. Ai ishte njeri i Fjalës. Ai guxoi të ishte i bindur në të gjitha gjërat që bëri. Por mbase mund të mësojnë shumë nga Mulleri në lidhje me lutjen. Mjulleri ishte një njeri jeta e të cilit rrotullohej rreth lutjes. 
 
Le të nxjerr shtatë parime që mund të mësojmë nga shembulli i lutjes së Xhorxh Mjullerit. 
 

Varu në Perëndinë plotësisht


Një nga shenjat dalluese të jetës së Xhorxh Mjullerit ishte mbështetja absolute te Perëndia për të gjitha gjërat. “Me anë të hirit të Perëndisë dëshiroj që besimi im në Perëndinë të shtrihet drejt çdo gjëje, për shqetësimet e mia më të vogla të përkohshme dhe frymërore, dhe shqetësimet më të vogla të përkohshme dhe frymërore të familjes time, për preokupimet e shenjtorëve mes të cilëve punoj, për shqetësimet e kishës në përgjithësi, etj.”7

Ai i çoi të gjitha preokupimet e tij para Perëndisë me lutje. Mjulleri nuk dëshiroi asnjëherë të zgjidhte ndonjë problem duke u mbështetur te njeriu apo mbi metodat njerëzore, por në vend të kësaj u mbështet plotësisht te Perëndia. Kështu e bëri si rregull që kurrë të mos i tregonte njeriu gjendjen financiare apo të kërkonte fonde. (Megjithëse nuk është e domosdoshme të imitojmë Mjullerin në të gjitha aspektet se si i bëri ai gjërat, sigurisht që duhet të sfidohemi nga gadishmëria e tij për tu varur vetëm te Perëndia në të gjitha gjërat.)
Xhorxhi e nisi punën e tij me jetimët duke u varur nga Perëndia për udhëheqje dhe fuqi. Ditaret e tij e bëjnë të qartë që ai vazhdimisht iu lut Perëndisë të siguronte gjërat që duheshin për të hapur jetimoren, stafin për ta drejtuar atë dhe paratë për ta mbajtur. Ai shkruan: “Aq sa mbaj mend, çova para Zotit madje edhe gjërat që po ndodhnin në minutën e fundit me kërkesat e mia, duke qenë i ndërgjegjshëm për dobësinë dhe paditurinë time.”8
Ai i drejtonte jetimoret duke u varur në mënyrë absolute te Perëndia. Për shembull në Nëntor të vitit 1838 ai nuk kishte as edhe një qindarkë të vetme për të paguar ushqimin për asnjë nga tre shtëpitë e fëmijëve. Çfarë bëri Xhorxhi? Ai nuk u shqetësua, por për më tepër ia parashtroi këtë çeshtje Atit të tij me lutje. Ai ishte i sigurtë që Perëndia do të siguronte, megjithëse nuk e dinte se si. Ai u nis për në shtëpi pasi ishte lutur me stafin e tij, por meqë u ndje që kishte nevojë për të ecur, shkoi për një rrugë të gjatë. Vetëm sa kishte ecur 20 metra nga shtëpia takoi një mik që i dha 20 shilinga për të plotësuar nevojat e imediate të jetimores. Nëse Xhorxhi do të kishte qenë gjysëm minute me vonesë, nuk do ta kishte takuar shokun e tij. Xhorxhi gjithmonë u var te Perëndia dhe Perëndia gjithmonë siguroi. 
 
Ky qëndrim i dha Xhorxhit shpresë dhe siguri të madhe. Ai shkruan: “Ata që mbështeten te Zoti asnjëherë nuk do të zhgënjehen! Disa që ndihmuan për një farë kohe mund të kenë rënë të flenë gjumë në Jezusin; të tjerët mund të ftohen në shërbimin ndaj Zotit; të tjerët mund të kenë dëshirë të ndihmojnë gjithmonë, por nuk janë më në gjendje… nëse do të vareshim te njeriu, sigurisht që do të zhgënjeheshim; por duke u varur vetëm te Perëndia i gjallë, asgjë nuk do të arrinte të na zhgënjente dhe kurrë nuk do të jemi të braktisur për shkak të vdekjes, apo mungësës së mjeteve, apo mungesës së dashurisë, apo për shkak se na dalin punë të tjera. Sa gjë e çmuar është të mësosh në çfarë do lloje mase që të qëndrosh vetëm me Perëndinë në botë dhe megjithatë të jesh i lumtur dhe dish që me siguri që asnjë gjë e mirë nuk do ta na mbahet ndërsa ecim me drejtësi.” 
 
Xhorxhi e demostroi shpesh mbështetjen e tij në Perëndinë. Njëherë një njeri i pasur dhe disa nga mikeshat e tij po vizitonin jetimoret. Të mahnitur me përkujdesjen që trajtoheshin fëmijët, ata e panë Xhorxhin dhe e pyetën nëse kishte një llogari të madhe bankare që ishte në gjendje të siguronte për të gjithë ata fëmijë. Xhorxhi thjesht u përgjigj: “Fondet tona janë në një bankë që askush nuk mund ta vjedhë.” Kjo ishte vërtet një thënie e madhe, ndërsa Xhorxhi nuk kishte asnjë edhe një qindarkë në atë moment për të plotësuar nevojat e fëmijëve. 
 
Xhorxhi kishte një dëshirë të madhe që të gjithë besimtarët të vareshin te Perëndia plotësisht. Ai nuk donte që ndonjë të mendonte që situata e tij ishte e veçantë, por në vend të kësaj ai i nxiste vazhdimisht të krishterët t’ia çonin të gjithë preokupimet e tyre Perëndisë me lutje. Ai shpesh u thoshte të krishterëve të luteshin për çdo gjë dhe të prisnin përgjigje për kërkesat që kishin bërë sipas vullentit të Perëndisë dhe në emër të Jezusit. Ne jetojmë në një kohë kur është e kollajshme të harrojmë të varemi te Perëndia. Ne kemi karta krediti dhe paratë tona janë në llogari bankare dhe kurrë nuk duhet të zëvendësojmë varjen te Perëndia me varjen te gjërat njerëzore. Ne duhet të stërvisim veten të kemi një qëndrim të varuri. 
 

Tregohu specifik në lutje


Mjulleri solli para Perëndisë çdo gjë me lutje. Shumë shpesh, për shkak të përtacisë apo për shkak të mungesës së besimit, shumë të krishterë luten vetëm në vija të përgjithshme. Ata nuk duan të presin “shumë” nga Perëndia. Jeta e lutjes së Mjullerit qëndron në kontrast të dukshëm me këtë lloj qëndrimi. 
 
Ai u lut Perëndisë për çeshtjet financiare. Kishte shumë raste kur Mjulleri nuk kishte as edhe një qindarkë në dorë dhe kishte dymijë fëmijë për të ushqyer. Në këtë situatë i lutej Perëndisë. Është e rëndësishme për të vënë në dukje që Perëndia e kaloi Xhorxhin përmes shumë kohësh të vështira. Nuk duhet të krijojmë idenë që jeta ishte e kollajshme për këtë njeri të Perëndisë. Kishte raste kur iu lut Perëndisë dhe Perëndia iu përgjigjë menjëherë dhe kishte raste të tjera kur iu lut Perëndisë dhe Perëndia iu përgjigj pas një kohe të gjatë. Megjithatë vazhdonte të lutej. Njëherë, Xhorxhi donte të blente një copë tokë mbi të cilën të ndërtonte një shtëpi fëmije. Fatkeqsisht pronari donte ta shiste shumë më shtrenjt sesa Xhorxhi mund të paguante. Kështu Xhorxhi iu drejtua lutjes. Ai iu lut disa herë në ditë për këtë çeshtje të veçantë. Pas disa javësh lutjeje pronari ra dakort ta shiste tokën me çmimin që ishte lutur Xhorxhi.11

Xhorxhi iu lut Perëndisë për nevoja fizike. Kur humbi një çelës, lutej që Perëndia ta ndihmonte ta gjente. Kur dikush nuk u shfaq për një takim, Xhorxhi u lut që ai të vinte shpejt.12 Ai nuk shikonte as një gjë si tepër të vogël për tu lutur. Ka një histori të thjeshtë që ilustron qëndrimin e Xhorxhit ndaj kërkesave për lutje. Njëherë një prej mikeshave të tij të reja erdhi te ai dhe i tha që ajo donte që Perëndia t’i përgjigjej lutjeve të saj siç iu përgjigjej lutjeve të Xhorxhit. Ai i përsëriti asaj premtimin e Perëndisë që do t’i dëgjojë fëmijët e tij. Kështu që ajo u ul në gjurin e tij dhe ai e pyeti atë se për çfarë do që të lutej. Ai u lut me të që Perëndia t’i dërgonte asaj ca lesh. Ajo doli jashtë për të luajtur, pastaj i erdhi në mendje që nuk i kishte treguar Perëndisë çfarë lloj leshi ajo donte. Ajo u fut brenda me vrap te Mjulleri. 
 
“Dua të lutem përsëri.”
“Jo tani e dashur, jam i zënë.”  
“Por harrova t’i tregoja Perëndisë çfarë ngjyre e dua leshin.
Duke e marrë në preher përsëri, Mjulleri tha: “Ke të drejtë, përcaktoje, fëmija im, tani tregoja Perëndisë çfarë do.”

Kjo ishte praktika e lutjes së Mjullerit: Ai ishte përcaktues dhe i tregonte Perëndisë çfarë donte. 
 

Përkushtoju Fjalës


Ka nga ata që përpiqen të ndajnë lutjen e fuqishme dhe studimin e vazhdueshëm të Shkrimit. Ata mund të thonë: “Unë jam i përkushtuar ndaj lutjes, por e kam të vështirë të studioj Fjalën e Perëndisë.” Apo mbase: “Unë i dua Shkrimet, por thjesht nuk jam i dhënë mbas lutjes” Është e rëndësishme që t’i bashkojmë këto të dyja. Nese duam të jemi njerëz të lutjes, duhet të jemi njerëz të Fjalës; dhe nëse duam të jemi me të vërtetë njerëz të Fjalës, duhet të jemi njerëz të lutjes. Lutja e ndihmoi atë të studionte Fjalën dhe studimi i Fjalës e ndihmoi të lutej. Mjulleri theksoi rëndësinë e leximit të Fjalës duke u lutur. Ai nuk donte t’i afrohej një pasazhi të Shkrimit me moskokëçarje, por për më tepër kërkoi vazhdimisht Perëndinë, duke i kërkuar Perëndisë ta mësonte atë çfarë do të thoshte pasazhi. Ai shpesh paralajmëroi kundra të qenurit tepër i përkushtuar ndaj librave të krishterë dhe komentarëve, në vend të përkushtuarit ndaj Shkrimit dhe të kërkuarit Frymës së Shenjtë mençuri.13

Për Mjullerin të lexuarit e Shkrimit i ndërthurur me lutje ishte thelbësor për të patur kohë efektive në lutje. Prandaj, Mjulleri e përkushtoi veten ndaj Fjalës. Gjatë njëzet viteve të fundit të jetës së tij, Mjulleri e lexoi të tërë Biblën afërsësisht katër deri në pesë herë çdo vit. Nga fundi i jetës së tij, ai e kishte lexuar të tërë Biblën rreth dyqind herë. Përshkak se e lexoi Biblën duke e ndërthur me lutje ai mund të lutej sipas Shkrimit. Studimi i Shkrimit i Mjullerit zuri vend kryesor në suksesin e tij në lutje. 
 
Mjulleri nisi ta praktikonte këtë parim që herët në jetën e tij të krishterë. Para se të lutej në mëngjes zakonisht meditonte mbi një pjesë të Shkrimit. Ndërsa meditonte mbi Shkrimin, shpirti i tij tërhiqej në lutje. Pastaj fillonte të lutej sipas Shkrimit. Ai shkruan: “… pas disa minutash shpirti im është drejtuar në rrëfim, apo në falenderim apo për ndërmjetësim apo përgjërim; kështu që megjithëse si të themi nuk e dhashë veten në lutje, por në meditim, u kthye menjëherë pak a shumë në lutje.”14

Mjulleri theksoi rëndësinë e Fjalës së Perëndisë në lutje për një sër arsyesh. 
 
Së pari, lutja e ndërthurur me leximin e Shkrimit ndihmon besimtarin të zhvillojnë një të kuptuar të duhur se kush është Perëndia dhe kjo do të forcojë besimin e tij. 
 
Ndërsa i krishteri lexon për mëshirën e Perëndisë dhe fuqinë e Perëndisë dhe sheh veprat e mrekullueshme të Perëndisë në të kaluarën, ai do të rritet në besimin e tij dhe kështu ka siguri më të madhe në Perëndinë të cilit i lutet. 
 
Së dyti të luturit i ndërthurur me leximin e Shkrimit jep kurajo në kohë të vështira. Kur sprovat dhe rrethanat tona duken të vështira duhet të mbështetemi në premtimet e Perëndisë. Mjulleri shkroi: “Më tutje, kur ndonjëherë gjithçka ka qenë errësirë, errësirë e madhe, në lidhje me shërbimin tim mes shenjtorëve, duke gjykuar nga pamja e jashtme, po kur duhet të isha mposhtur nga hidhërimi dhe dëshpërimi, nëse do të kisha parë gjërat nga paraqitja e jashtme. Në kohë të tilla jam përpjekur të inkurajoj veten në Perëndinë duke u mbajtur fort me besim në fuqinë e Tij të madhe, dashurinë e Tij të pandryshueshme dhe mençurinë e Tij të pafundme … sepse është shkruar: ‘Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat bashkë me të?’” Romakëve 8:32. 
 
Së treti, të luturit i ndërthurur me leximin e Shkrimit informon lutjet e besimtarit. Mjulleri vazhdimisht theksoi rëndësinë e të mos të luturit sipas vullnetit tonë, por sipas vullnetit të Perëndisë. Ai shpesh i vlerësonte kërkesat e lutjve të tij nën dritën e Shkrimit në mënyrë që të kishte sigurinë që për çfarë lutej ishte sipas vullnetit të Perëndisë. Si mund ta njohim vullnetin e Perëndinë që mund të lutemi sipas vullentit të Tij? Ne mesojmë se cili është vullneti i Perëndisë përmes studimit të Fjalës së Perëndisë. 
 

Bëje lutjen përparësi


Është absolutisht e pamundur të lexosh jetën e Xhorxh Mjullerit dhe të mos shikosh këtë gjë: Xhorxh Mjulleri e bëri lutjen përparësinë më të madhe. Për Mjullerin lutja nuk ishte një alternativë, nuk ishte thjesht diçka tjetër për për bërë, ishte gjaku i jetës së tij. 
 
Është tepër përulëse të lexosh mbi përkushtimin e Mjullerit ndaj lutjes. Jeta e tij vërtitej rreth lutjes. Ai u lut privatisht. Ai e fillonte çdo ditë me një kohë të leximit të Shkrimit dhe një kohe në lutje. Nganjëherë këto kohë të lutjes zgjasin me orë të tëra. Ai shpesh bënte shëtitje me Dhjatën e Re dhe kalonte kohë duke iu lutur Perëndisë. Ai kishte një kohë të përditshme lutjeje me gruan e tij. Ai gjithashtu caktonte kohë lutjeje me stafin e tij. Megjithatë kjo ishte vetëm fillimi. Ai lutej vazhdimisht. Njëherë kur u pyet nëse a kalonte shumë kohë në gjunjë, Mjulleri u përgjigj: “Pak a shumë çdo ditë. Por jetoj në frymën e lutjes. Lutem ndërsa ec, kur shtrihem, kur ngrihem.”16

Mjulleri jo vetëm thjesht e mësonte këtë parim, por e jetoi sipas tij. Pavarasisht nga fakti që duhet të predikonte, pavarësisht për kujdesin që duhet të tregonte për mijëra jetimë, menaxhimit të një stafi të madh dhe kujdesjes ndaj detajeve të panumarta, Mjulleri gjithmonë gjente kohë për tu lutur. Ai shpjegoi: “Ja ku qëndron sekreti i madh i suksesit. Puno me gjithë fuqinë tënde, por mos i zë besë as më të voglës punës tënde …. Lutu dhe pastaj puno”

Përsëri të tjerët mund të ankohen që lutja dhe studimi i Shkrimit nuk është kënaqësi. Mjulleri paralajmëroi kundra të dhënit mbas ndjenjave kur vjen puna te lutja dhe i nxiti besimtarët të vazhdojnë të luten dhe studiojnë madje edhe kur nuk ndjehen ta bëjnë një gjë të tillë. Dikush kurrë nuk do të zhvillojë dëshirën e tij për lutjen dhe për Shkrimin nëse nuk punon me lutjen dhe studimin e Shkrimit. 
 
Mjulleri nuk toleronte asnjë lloj justifikimi ndaj mungesës së lutjes. Ne nuk duhet ta rregullojmë lutjen sipas “alternativës së fundit” por për më tepër duhet ta bëjmë atë “alternativën tonë të parë.”


Mbaje Krishtin në qendër


Xhorxh Mjulleri e deshi Jezusin. Ai e kuptoi që nuk e meritonte hirin e Perëndisë dhe që e vetmja arsye që Perëndia i përgjigjej lutjeve të tij ishte për shkak të punës së Krishtit. “Ka vetëm një gjë që meriton Xhoxh Mjulleri dhe ky është ferri. Të them vëllai im kjo është e vetmja gjë që meritoj. Me të vërtetë jam një mëkatar që meriton ferrin. Nga natyra jam një njeriu i humbur, por jam një mëkatar i shpëtuar nga hiri.”18

Prandaj kurdoherë që jepte mësim mbi lutjen ai gjithmonë e vendoste theksin e madh mbi domosdoshmërinë absolute të varjes mbi ‘meritat dhe ndërmjetësimin e Jezu Krishtit si e vetmja bazë për të marrë ndonjë bekim.”19 Perëndia na pranon jo në bazë të veprave tona, por në bazë të punës së Birit të Tij. Ne nuk e meritojmë Hirin e Tij dhe prandaj kurrë nuk mund të mburremi kur Perëndia përgjigjet lutjeve tona. Ne vazhdimisht duhet të kujtojmë vetveten për mëkatshmërinë tonë dhe mëshirën e Shpëtimtarit tonë. 
 
Mjulleri i sfidoi besimtarët të meditojnë thellësisht mbi Krishtin. “A mendohemi thellë mbi atë çfarë është Jezu Krishti për ne, si Shpengimtari ynë, si Kryeprifti ynë, Si Ai që do të vijë përsëri për të na marrë te Vetvetja, që atje ku Ai është të jemi edhe ne gjithashtu … A e ngushullojmë veten me këto të gjitha?”20 Të krishterët duhet ta lartësojnë Krishtin vazhdimisht në lutjet e tyre dhe t’i luten Perëndisë në bazë të veprës së Tij. Ndërsa dikush lexon përmes lutjeve të Mjullerit bëhet e qartë që kjo ishte tamam çfarë bëri ai. Ai e deshi Shpëtimtarin e Tij me gjithë zemrën e tij dhe duket qartë që punoi në lartësimin e Tij në lutje dhe me jetën e Tij.


Rrëfeje dhe braktise mëkatin

Shkrimi e bën të qartë që Perëndia “nuk i dëgjon” lutjet e të ligjve. “Në rast se dikush e kthen veshin gjetiu për të mos dëgjuar ligjin, vetë lutja e tij do të jetë një gjë e neveritshme” (Fjalët e Urta 28:9). Mëkati pengon lutjet tona. 
 
1 Pjetrit 3:7 e ilustron këtë të vërtetë mjaft qartë. “ju burra, gjithashtu, jetoni me gratë tuaja me urtësi, duke e çmuar gruan si një enë delikate dhe e nderoni sepse janë bashkëtrashëgimtare me ju të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.”

Mjulleri e përqafoi këtë parim. Ai paralajmëroi: “që është e rëndësisë më të madhe që të përpiqemi të ruajmë një zemër të drejtë dhe të kemi një ndërgjegje të pastër dhe prandaj të mos përfshihemi me dijeni dhe të na bëhen zakon gjëra që janë në kundërshtim me mendjen e Perëndisë … E gjithë siguria ime te Perëndia, e gjithë mbështetja ime te Ai në kohë vështirësie do të zhduket nëse kam një ndërgjegje fajtore dhe nuk përpiqem të pastroj këtë ndërgjegje fajtore, kur akoma vazhdoj të bëj gjëra që janë në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë.”21 Ai nuk besonte që një i krishterë duhet t’i kërkojë Perëndisë me besim ndërsa vazhdon të jetë i përfshirë në mëkat të papenduar. 
 
Prandaj rrëfimi luajti një pjesë të rëndësishme në lutjet e Mjullerit. Ai shpesh i kërkonte Perëndisë t’i tregonte mëkatin e tij dhe ta ruante atë nga vendime mëkatare. Mjulleri u përpoq të bënte të vdisnin dëshirat e tij mishërore dhe u përpoq të jetonte vetëm për Krishtin. Kur u pyet se cili ishte sekreti i suksesit të tij, Mjulleri u përgjigj: “Ishte një ditë që vdiqa, vdiqa plotësisht,” dhe ndërsa shpjegoi këtë ai u përkul më ulët dhe më ulët derisa gati sa nuk preku dyshemenë, “vdiqa ndaj Xhorxh Mjullerit, opinioneve të tij, preferencave të tij, shijeve dhe vullnetit të tij, vdiqa ndaj botës, aprovimeve apo çensurave të saj, vdiqa ndaj aprovimit apo fajsimit nga vëllezrit dhe miqtë e mi dhe që nga ajo kohë kam studiuar ta tregoj veten të aprovuar ndaj Perëndisë.”22


Këmbëngul në lutje


Një nga mësimet më të rëndësishme për t’u mësuar nga jeta e Xhorxh Mjullerit është si të reagojmë kur kërkesat për lutje nuk marrin përgjigje shpejt. Sepse prej mijëra kërkesave për lutje të Mjullerit që Perëndia u përgjigj shpejt, ishin mijëra që Ai vonoi në përgjigje. Ndërsa lexon nga ngjarjet e jetës së Mjullerit është mjaft goditëse të shohësh sa shpesh Perëndia e bëri Xhorxhin të priste për përgjigje. Si reagoi Mjulleri kur Perëndia u vonua? Përmes lutjes. Nëse Perëndia është i ngadaltë në përgjigje ndaj lutjes, mos u dorëzo. Për më tepër lutu më shpesh. 
 
Mjulleri shkruan: “Njëri apo tjetri mund të supozojë që të gjitha lutjet e mia kanë marrë përgjigje menjëherë. Jo të gjitha. Nganjëherë më është dashur të pres javë, muaj apo vite, nganjëherë shumë vite … Gjatë gjashtë javëve të para të vitit 1866 dëgjova për shpëtimin e gjashtë personave për të cilët isha lutur për një kohë të gjatë. Për njërin isha lutur afërisht dy deri tre vjet. Për një tjetër afërsisht tre deri katër vjet; për një tjetër mbi shtatë vjet, për të katërtin mbi dhjetë vjet, për të pestin mbi pesëmbëdhjetë vjet dhe për të gjashtin mbi njëzet vjet. Në një rast tjetër besimi është provuar madje më shumë se kaq. Në nëntor të vitit 1844, fillova të lutesha për shpëtimin e pesë individëve. U luta çdo ditë pa një ndërprerje të vetme, qoftë në sëmundje apo në shendet, në tokë apo në det dhe çfarë do qoftë presioni i punëve të mia … dy janë akoma të pashpëtuar … por shpresoj në Perëndinë, vashdoj të lutem dhe megjithatë pres për përgjigje.” 23 
 
Në një nga shumë udhëtimet misionare të Mjullerit, një njeri që ishte tepër i dekurajuar vajti te ai për këshillë. Ky njeri kishte gjashtë bij për të cilët ishte lutur për shumë vite. Bijtë e tij pavarësisht nga të gjithë lutjet e tij nuk tregonin interes për Perëndinë apo për shpirtrat e tyre. Ai donte që Xhorxhi t’i tregonte se çfarë të bënte. Mjulleri thjesht u përgjigj: “Vazhdo të lutesh për bijtë e tu dhe prit përgjigje për lutjet e tua dhe ke për ta përlëvduar Perëndinë.”24

Kur Mjulleri donte të rriste numrin e jetimëve nga treqind në njëmijë, ai filloi të lutej për ndihmën e Perëndisë në këtë çeshtje. Ai vazhdoi të lutej ditë pas dite për njëmbëdhjetë vjet derisa Perëndia iu përgjigj lutjes së tij. 
 
Kur Mjulleri pa hapte një shtëpi të re dhe kishte nevojë për më shumë ndihmësa për shtëpitë e fëmijëve, ai kërkoi Zotin në lutje. Megjithatë kur shtëpia ishte gati të hapej, ai nuk kishte numër të mjaftueshëm aplikantësh për të plotësuar vendin e punës. Si reagoi Mjulleri? Duke e falenderuar Perëndinë për lutjet e mëparshme që kishte marrë përgjigje dhe duke vendosur të mos lutej një herë në ditë për këtë çështje, por të lutej tre herë në ditë për ndihmësat. Ai e bëri këtë për katër muaj dhe u kënaq të shihte Perëndinë t’i përgjigjej lutjes së tij në një mënyrë mjaft të fuqishme.”25

Mjulleri e përmbledh qëndrimin e tij thjesht duke thënë: “Kur më mbushet mendja që diçka është e drejtë dhe për lavdinë e Perëndisë, vazhdoj të lutem derisa të vijë përgjigjia. Xhorxh Mjulleri asnjëherë nuk dorëzohet.”26

Mjulleri ishte këmbëngulës në lutje për një sërë arsyesh. 
 
Së pari, ai besoi me të vërtetë që Perëndia i përgjigjet lutjes. Ngadalshmëria e Perëndisë nuk e tundte besimin e Mjullerit. Para se Mjulleri të hapte shtëpinë e parë të fëmijës ai u lut çdo ditë për katëmbëdhjetë muaj dhe tre javë. “Asnjëherë gjatë kësaj kohe nuk kisha as dyshimin më të vogël që nuk do të kisha gjithçka që më duhej.”27

Shumë nga ne e kanë të vështirë të vazhdojnë në lutje sepse në zemër të zemrave nuk jemi të sigurtë nëse Perëndia po e dëgjon lutjet tona me të vërtetë. Jezusi na tregon: “A ka midis jush ndonjë njeri që, po t’i kërkojë i biri bukë, t’i japë një gur? Ose po t’i kërkojë një peshk, t’i japë një gjarpër? Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë” (Mateu 7:9-11). 
 
Mjulleri ishte i sigurtë në këtë premtim dhe për shkak të kësaj nuk dyshoi në mirësinë e Atit. “Sepse përmes hirit mendja ime ishte aq e sigurtë mbi besnikërinë e Zotit, saqë në mes nevojës më të madhe, jam në gjendje të vazhdoj të merrem me punën tjetër. Me të vërtetë nëse Perëndia nuk do të më kishte dhënë këtë [këtë siguri në besnikërinë e Perëndisë] …. zor se do të kisha qenë në gjendje të punoja ndopak.” 28

Së dyti, ai besoi që Perëndia kishte arsye të mira që ishte i ngadalshëm në dhënien e përgjigjes për lutje të caktuara. Mjulleri faktikisht mund të gëzonte kur lutjet e tij nuk merrnin përgjigje menjëherë për shkak të mbështetjes së tij të plotë në qëllimet e mençura të Perëndisë. Kur Perëndia nuk i përgjigjej menjëherë lutjeve të tij, Xhorxhi e merrte si shenjë e dashurisë së Tij sepse duke bërë kështu Perëndia po forconte besimin e Mjullerit. “Me të vërtetë ia vlen të jesh i varfër dhe të të vihet shumë në provë besimi për hir të të paturit ditë pas dite prova të tilla të interesit të dashurisë që Ati ynë i dashur ka për çdo gjë që na preokupon. Dhe si mund të bëjë ndryshe Ati ynë. Ai që na ka dhënë provën më të madhe të mundshme të dashurisë së Tij të asaj që Ai mund të kishte bërë, në dhënien e Birit të Tij, sigurisht që do të na japë lirisht të gjitha gjërat.”29

Mjulleri mësoi që Perëndia shpesh vonon që të na kthejë përgjigje në mënyrë që të forcojë besimin e besimitarit. Kur lutjet e një besimtari nuk marrin përgjigje shpejt, në vend që ta marrë çeshtjen në duart e tij, ai duhet të vazhdojë të shikojë te Perëndia për ndihmë dhe të presë Atë për çlirim. Kjo nuk do të thotë që të Krishterët nuk duhet të bëjnë asgjë. Mjulleri besoi që qëndrimi i të mos bërit asgjë ishte një “fallsikimi i besimit.”30 Në vend të kësaj besimtari duhet të vazhdojë t’i thërrasë Perëndisë dhe duhet të veprojë duke iu bindur Shkrimit. 
 
Së treti, Mjulleri besoi që Perëndia gjente kënaqësi në lutjet e sinqerta të njerëzve të Tij. Shëmbëlltyra e vejushes dhe e gjykatësit të padrejtë i dha Mjullerit inkurajim të madh të vazhdonte t’i sillte shqetësimet e tij para Perëndisë së hirshëm. Perëndia do që njerëzit e Tij të luten me këmbëngulje. 
 
Së katërti, Mjulleri ishte këmbëngulës në lutje sepse ai dëshironte fort lavdinë e Perëndisë mbi çdo gjë tjetër. “Lavdia e Tij ishte synimi im kryesor … do me thënë që nuk është një gjë e kotë të mbështetesh në Perëndinë e gjallë.”31 Ai thotë thjesht: “Lavdia e Perëndisë duhet të jetë gjithmonë para syve të fëmijëve të Perëndisë, në atë çfarë kërkojnë nga duart e Tij…”32 Durimi i të krishterit nën provë mund t’i sjellë lavdi dhe nder Perëndisë. Mjulleri nuk ishte i preokupuar në mënyrë parësore për Mjullerin, prandaj ishte i kënaqur në çdo lloj rrethane. Ai kishte qëndrimin e Apostullit Pal që tha: “Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë jam mësuar të kënaqem në gjëndjen që jam.” Pse mund ta thoshte Pali këtë? 
 
Sepse Pali nuk po jetonte për Palin, jeta e Palit ishte e fshehur në Krishtin dhe prandaj nuk kishte rëndësi cilat ishin rrethanat e tij për aq kohë sa përlëvdohej Perëndia. Një nga arsyet kryesore që shumë nga ne e kanë të vështirë të jenë këmbëngulës në lutje është se lutemi me motive egoiste. “Ju kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni keqas që të shpenzoni për kënaqësitë tuaja” (Jakobi 4:3). 
 
Një person që është i preokupuar kryesisht nga lavdia e Perëndisë nuk do të dekurajohet kur kërkesat e tij të lutjes nuk marrin përgjigje menjëherë. Në vend të kësaj do të pushojë në premtimin e Romakëve 8:28: “Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij.”

Ne duhet të ndjekim shembullin e Xhorxh Mjullerit dhe të vazhdojmë në lutje madje edhe kur është më vështirë se kurrë. “Prandaj vëllezër dhe motra të dashura, vazhdoni të prisni në Perëndinë, vazhdoni të luteni, vetëm jini të sigurë që të kërkoni gjëra që janë sipas mendjes së Perëndisë…”33

--------

Te gjitha te drejtat te Rezervuara.

Post a Comment

0 Comments