PROGRAMI PRAKTIK I LUTERIT PËR TË GJALLËRUAR JETËN TËNDE TË LUTJES - KRISHTËRIMI BIBLIK

Artikuj, Shkrime, Predikime, Video dhe Thënie që Paraqesin Krishtërimin Biblik.

Monday, April 6, 2020

PROGRAMI PRAKTIK I LUTERIT PËR TË GJALLËRUAR JETËN TËNDE TË LUTJES


Reformatori Gjerman, Martin Luteri, mësonte që lutja duhet të jetë e gjallë, e fuqishme, e sinqertë, serioze, e trazuar, plot pasion, e fortë dhe e zjarrtë.

Luteri e përshkroi lutjen si: “Puna më e vështirë nga të gjitha, – përpjekja mbi gjithë përpjekjet, sepse ai që lutet duhet të luftojë fuqishëm kundër dyshimit dhe murmuritjeve që ngjall burracakëria dhe padenjësia që ndejmë përbrenda… ai rënkim i pashprehshëm dhe i fuqishëm me të cilin i perëndishmi ngrihet mbi dëshpërimin, lufta në të cilën ata e përdorin fuqimisht besimin e tyre.”

Lutja e guximshme, e cila ngulmon pa u lëkundur dhe nuk pushon për shkak të frikës, është shumë e kënaqshme për Perëndinë,” shkroi Luteri. “Ashtu si këpucëbërësi bën një këpucë, ose rrobaqepësi bën një pallto, po kështu edhe i krishteri duhet të lutet. Lutja është puna e përditshme e të krishterit.


REFORMIMI I LUTJES

Në vitin 1535, Luteri shkroi dhe publikoi: “Një Rrugë e Thjeshtë për t'u Lutur,” dedikuar berberit të tij, Peter Beskendorf. Berberi e kishte pyetur për disa udhëzime se si të përmirësonte jetën e tij të lutjes. Në përgjigje, Luteri shkroi një libër me 35 faqe i cili u bë kaq popullor saqë u shtyp 4 herë vetëm atë vit të parë.

Martin Luteri është përshkruar si një nga njerëzit më të përkushtuar të lutjes në të gjithë historinë. Të dhënat historike tregojnë që Luteri lutej 3 deri në 4 orë çdo ditë. Në shekullin e 16-të, kisha e Romës e kishte varrosur lutjen Biblike nën shtresa institucionale, mistike dhe gabimesh teologjike. Lutja, për shumë persona në shekullin e 16-të ishte një rit mekanik fetar, një vepër legaliste, që nuk kërkonte shumë mendim. Luteri punoi shumë për të reformuar lutjen. Ai kalonte netë të gjata në vetmi në lutje të zjarrta dhe agjërim.


UDHËZIME PËR LUTJE

Në librin e tij “Një Rrugë e Thjeshtë për t'u Lutur” Luteri shkroi: “Së pari, kur ndiej që jam bërë i ftohtë dhe pa gëzim në lutje, për shkak të detyrave dhe mendimeve të tjera (sepse mishi dhe Djalli gjithmonë e pengojnë lutjen), unë marr librin e Psalmeve, nxitoj ë te dhoma ime…dhe për aq sa e lejon koha, unë them qetësisht në veten time dhe fjalë për fjalë Lutjen e Zotit, Dhjetë Urdhëresat, Besoren Apostolike dhe… disa Psalme."

Është një gjë e mirë që lutja të jetë puna e parë në mëngjes dhe puna e fundit në darkë. Ruaje veten me kujdes kundër ideve të rreme dhe mashtruese që të thonë ‘prit edhe pak. Do lutem pas një ore, së pari më duhet të bëj këtë dhe atë’…Ata që punojnë besnikërisht, luten dy herë…Krishti urdhëron lutje të vazhdueshme: lypni dhe do t'ju jepet, kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t'ju hapet…lutuni pa pushim… ne duhet të ruhemi pa pushim kundër mëkatit dhe gabimeve, diçka që dikush nuk mund ta bëjë nëse ai nuk ka frikë Perëndinë dhe që nuk mban Urdhëresat e Tij…ne bëhemi përtacë, të ftohtë dhe të topitur karshi lutjes. Djalli që na sulmon nuk është përtac dhe as i shkujdesur, dhe mishi ynë është shumë i gatshëm dhe i etur për të mëkatuar por nuk është i gatshëm ndaj frymës së lutjes.”

Kur zemra jote është ngrohur nga kjo përsëritje (i Dhjetë Urdhëresave, Fjalëve të Krishtit, etj)…Gjunjëzohu ose qëndro me duart e tua të mbledhura dhe sytë e tu drejt Qiellit dhe fol ose mendo aq shkurtimisht sa mundesh.”

O At Qiellor, i dashur Perëndi, unë jam një mëkatar i varfër dhe i padenjë. Unë nuk e meritoj të ngre sytë e mi ose duart drejt Teje ose që të lutem. Por, për shkak se Ti na ke urdhëruar të gjithëve të lutemi dhe ke premtuar të na dëgjosh, dhe përmes Birit tënd të dashur, Jezu Krisht, na ke mësuar si të lutemi dhe për çfarë të lutemi, unë vij tek ti në bindje ndaj Fjalës Tënde, duke besuar në premtimet e tua të hirshme.”

Luteri rekomandoi që lutjet tona duhet të jenë të shumta por të shkurtëra në kohëzgjatje. Luteri mësoi që ne duhet të lutemi me: “Lutje të shkurtra…të mbarsura me Frymën e Shenjtë, të fortifikuara fort me anë të besimit. Sa më të pakta fjalët, aq më e mirë lutja. Sa më të shumta fjalët, aq më e keqe lutja. Pak fjalë dhe shumë kuptim është e krishterë. Shumë fjalë dhe pak kuptim është pagane.”

Lutja e Zotit dhe Psalmet ishin mjete të cilat Luteri i konsideronte më të rëndësishme për jetën e lutjes të të çdo të krishteri. “Është lutur me bollëk i krishteri që është lutur si duhet me Lutjen e Zotit.” Lutja e Zotit është lutja model e Krishtërimit dhe në thelb nuk është një lutje e një individi, por një lutje e përbashkët që lidh të gjithë të krishterët bashkë, duke na bashkuar me të gjithë besimtarët, ata në të kaluarën, ata në të tashmit dhe me ata në së ardhmen, qoftë në Qiell ose në tokë, në një lutje me në fokus Mbretërinë Biblike.


TË LUTESH NGA PSALMET

Luteri mësonte që të lutesh nga Psalmet na sjell në: “një harmoni të gëzueshme” me Fjalën e Perëndisë dhe Vullnetin e Perëndisë. “Kushdo që fillon të lutet me Psalmet me ngulm dhe rregullisht shumë shpejt do të heqë dorë nga lutjet e tjera të vogla dhe të zbehta personale devocionale dhe do të thotë, ‘Ah, nuk është lëngu, fuqia, pasioni, zjarri që gjen te Psalmet. Gjithçka tjetër shijon tepër e ftohtë dhe tepër e fortë.’”


STRUKTURIMI I LUTJES

Luteri rekomandoi gjithashtu që ta strukturojmë lutjen tonë sipas Besores Apostolike dhe Katekzimit, për të lidhur doktrinën me devocionin. Ai gjithashtu rekomandoi të lutesh sipas Dhjetë Urdhëresave, duke medituar mbi secilën urdhëresë si udhëzim, falenderim, rrëfim dhe peticion. Të medituarit mbi udhëzimin, të falenderuarit për bekimet që rrjedhin nga këto parime, të rrëfyerit për aty ku kemi dështuar personalisht në bindjen dhe aplikimin e tyre, dhe kërkesa për të qënë në gjendje për të nderuar dhe për t'ju bindur Fjalës së Perëndisë në jetët tona të përditshme, do të gjallërojë jetët tona të lutjes.


LUFTA SHPIRTËRORE

Luteri jetoi përditë si një shënjestër ndaj asaj që ai e quante “Anfectung,” sulmi i egër dhe i pafrenuar i Satanit. Ndonjëherë, dukej sikur e gjithë bota ishte kundër tij, po ashtu siç ishin mishi dhe Djalli. Në mes të kësaj lufte shpirtërore, qasja e pasur e Luterit ndaj lutjes e forcoi atë. Besorja Apostolike, Lutja e Zotit, Dhjetë Urdhëresat, Katekizmi dhe Psalmet thelluan dhe fokusuan jetën e tij të lutjes.

Në parathënien e tij te “Katekizmi i Zgjeruar,” Luteri shkroi “Ne e dimë që mbrojtja jonë qëndron te lutja. Ne jemi tepër të dobërt për t'i rezistuar Djallit dhe shërbëtorëve të tij. Le të mbajmë fort armët e të krishterit; ato na aftësojnë që të luftojmë Djallin… armiqtë tanë mund të tallen me ne. Por ne do të kundërshtojmë si njerëzit ashtu edhe Djallin nëse qëndrojmë në lutje dhe vazhdojmë të këmbëngulim në të.”


PRIORITETI YNË I PARË

Luteri rekomandoi një kohë të caktuar për devocionet personale, herët në mëngjes ose në darkë, dhe paralajmëroi kundër shtyrjes së tyre për ndonjë “punë më urgjente.”


STRALLI PËR FLAKËT

Ai mendonte që Dhjetë Urdhëresat duhet t'i shohim si një libër shkollor, si një libër këngësh, si një libër pendesash, dhe si një libër lutjesh. A këshilloi që një ditë si strukturë të lutjes të marrësh Dhjetë Urdhëresat, dhe një Psalm ose një kapitull të Shkrimit të Shenjtë ditën tjetër, dhe t'i përdorësh ato “si strall për të ndezuar një flakë në zemër.”


TË LUTESH LUTJEN E ZOTIT

Një Rrugë e Thjeshtë për t'u Lutur” jep disa shembuj të ndërmjetësimeve që frymëzohej të bënte Luteri në lutje mbi bazën e Lutjes së Zotit: “U shenjtëroftë Emri Yt. Po, Zot Perëndi, i dashur At, u Shenjtëroftë Emri Yt, si në ne ashtu edhe në të gjithë botën. Shkatërro dhe çrrënjos neveritë, idhujtarinë dhe herezinë e të gjithë mësuesve të rremë që padrejtësisht përdorin Emrin Tënd dhe në mënyra skandaloze e keqpërdorin dhe blasfemojnë me të…I Dashur Zoti Perëndi, ktheji dhe ndaloji ata… ndalo ata që nuk janë të gatshëm që të kthehen në mënyrë që të detyrohen të ndalojnë nga keqpërdorimi, njollosja dhe çnderimi i Emrit Tënd të Shenjtë dhe nga keqdrejtimi i njerëzve të varfër. Amen.”

Ardhtë Mbretëria Jote. O i dashur Zot, Perëndi dhe At, ktheji ata dhe na mbro… në mënyrë që ata me ne dhe ne me ta mund të të shërbejmë Ty dhe Mbretërisë Tënde në besim të vërtetë dhe dashuri të pashtirur dhe që nga Mbretëria jote që ka filluar, të mund të hyjmë në Mbretërinë Tënde të përjetshme. Na mbro kundër atyre që nuk duan të heqin dorë nga forca dhe fuqia e tyre për të shkatërruar Mbretërinë Tënde në mënyrë që kur të hidhen poshtë nga fronet e tyre, dhe të përkulen, atyre do t'ju duhet të ndalojnë përpjekjet e tyre. Amen.”

U bëftë vullneti yt si në tokë ashtu edhe në qiell. O i dashur Zot, Perëndi dhe At, Ti e di që bota, nëse nuk mund ta shkatërrojë Emrin Tënd ose të çrrënjosë Mbretërinë Tënde, është e zënë ditë e natë me marifete dhe skema të liga, me komplote dhe intriga të habitshme, të kruspullosur bashkë në këshillim të fshehtë, duke mbështetur njëri-tjetrin, duke u tërbuar dhe duke kërcënuar dhe duke vepruar me çdo qëllim të keq për të shkatërruar Emrin Tënd, Fjalën, Mbretërinë dhe fëmijët… për Hirin tënd me gëzim dhe durim na mundëso të durojmë çdo të keqe, kryq dhe fatkeqësi, dhe në këtë mënyrë të pranojmë, të provojmë dhe të përjetojmë Vullnetin Tënd dashamirës, të hirshëm dhe të përsosur...”

Na jep bukën e përditshme. Na mbro nga lufta dhe trazirat. Jepu të gjithë udhëheqësve këshillë të mirë dhe një vullnet për të ruajtur nënshtetasit e tyre në qetësi dhe drejtësi. O Perëndi, bëj që të gjithë njerëzit të jenë të kujdesshëm dhe të shfaqin shpirtbutësi dhe besnikëri karshi njëri-tjetrit. Na jep një mot të mbarë dhe të korra të mira…”

Na i fal fajet tona , siç ua falim edhe ne fajtorëve tanë. O i dashur Zot, Perëndi dhe At, mos hyr në gjykim kundër nesh sepse asnjë person i gjallë nuk është i drejtë përpara Teje. Mos na e numëro kundër nesh si mëkat që jemi kaq mosmirënjohës dhe jo falenderues për mirësinë tënde të papërshkrueshme, shpirtërore dhe fizike, dhe që arrakatemi kaq shumë herë çdo ditë. Mos shiko se sa të mirë ose sa të këqinj kemi qënë por vetëm mbi dhembshurinë e pafundme, që Ti e ke derdhur mbi ne në Krishtin, Birin Tënd të dashur. Amen. Gjithashtu, jepu falje atyre që na kanë lënduar dhe na kanë bërë të këqija, ndërsa i falim nga zemrat tona…ne do donim që ata të shpëtohen me ne. Amen.”

Mos lejo që të biem në tundim. Na mbaj vigjilentë, të etur dhe të zellshëm në Fjalën dhe shërbimin Tënd, në mënyrë që të mos bëhemi të vetë-kënaqur, përtacë dhe të plogët sikur tashmë të kishim arritur gjithçka. Në këtë mënyrë Djalli nuk mund të na zërë në lakun e tij, të na befasojë dhe të na privojë nga Fjala jote e çmuar ose të na fusë në grindje dhe përçarje midis nesh që do të na çojë në mëkat dhe çnderim…”

Dhe na liro nga i ligu. Kjo jetë e mjerë është kaq plot mjerime dhe fatkeqësi, rreziqesh dhe pasigurish, kaq plot shpirtligësi dhe pabesi… por Ti, i dashur At, e di dobësinë dhe brishtësinë tonë. Prandaj na ndihmo të kalojmë në mënyrë të sigurt përmes kaq shumë ligësie dhe poshtërsie…”


ADHURIM I NGROHTË ME GJITHË ZEMËR

Luteri paralajëmroi: “Nuk dua që të recitosh të gjitha këto fjalë në lutjen tënde. Kjo do ta bënte atë veçëse dërdëllitje boshe. Unë dua që zemra jote të trazohet dhe të udhëzohet në lidhje me mendimet që duhet të kuptohen në Lutjen e Zotit. Këto mendime mund të shprehen, nëse zemra jote është ngrohur si duhet dhe është prirur drejt lutjes, në shumë mënyra të ndryshme me më shumë ose më pak fjalë… dëgjo në heshtje, dhe nën asnjë rrethanë mos i pengo. Vetë Fryma e Shenjtë predikon këtu, dhe një Fjalë e Predikimit të Tij është shumë më e mirë se një mijë lutjet e tua. Shumë herë kam mësuar më shumë nga një lutje sesa mund të kem mësuar nga shumë lexim dhe arsyetim.”

Ai paralajmëroi kundër: “Një zemre të ftohtë dhe të pavëmëndshme”, duke mësuar që lutja kërkonte “vëmëndjen e plotë të të gjitha shqisave dhe gjymtyrëve… përqëndrim dhe sinqeritet zemre…”


DISIPLINA SHPIRTËRORE

Luteri mësonte që në lutjen përmes Dhjetë Urdhëresave “Unë mendoj për çdo Urdhëresë së pari si udhëzim, që është ajo për të cilën është synuar, dhe për të konsideruar seriozisht se çfarë kërkon Zoti nga unë. Së dyti, unë e kthej atë në një falenderim; së treti në një rrëfim; dhe së katërti në një lutje.”

Ai mësonte rendësinë e disiplinave Shpirtërore, duke përfshirë vetminë, heshtjen, dëgjimin, meditimin, lutjen dhe bindjen.


PËRKUSHTIM MË I THELLË

Perëndia qoftë i hirshëm për ta përdorur shembullin dhe mësimet e Martin Luterit për të gjallëruar jetët tona të lutjes, për të disiplinur, mprehur dhe fokusuar lutjet tona në një mënyrë me fokus Biblik dhe të Mbretërisë. Ndërsa përpiqemi përmes Lutjes së Zotit, Dhjetë Urdhëresave, Besores Apostolike, Psalmeve dhe Katekizmave, Zoti qoftë i mërshirshëm për të gjallëruar jetët tona të lutjes, për të thelluar jetët tona devocionale, dhe për të na përdorur më shumë për zgjerimin e Mbretërisë së Tij dhe për lavdinë e Tij të përjetshme.


Zot, na mëso të lutemi…” Luka11:1



Nga Peter Hammond
Shekulli Më i Madh i Reformacionit

-------
Të Gjitha Të Drejtat Të Rezervuara

No comments:

Post a Comment

SHËNIM:
Të Gjitha të Drejtat të Rezervuara. Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta shpërndani këtë material me kusht që të mos ndryshoni fjalët dhe gjithashtu të citoni burimin, nga është marrë materiali.