Detyrat e Veçanta të Burrave ndaj Grave të tyre - Nga Richard Baxter - KRISHTËRIMI BIBLIK

Artikuj, Shkrime, Predikime, Video dhe Thënie që Paraqesin Krishtërimin Biblik.

Wednesday, May 20, 2020

Detyrat e Veçanta të Burrave ndaj Grave të tyre - Nga Richard Baxter


Nga Riçard Bakster (Richard Baxter)


Marrë nga Kapitulli VIII. Nga doracaku i puritanit anglez mbi jetën familjare, “Ekonomia e krishterë/Christian Economics”, pjesë e librit të tij “Një udhërrëfyes i krishterë/A Christian Directory”, botuar për herë të parë në vitin 1673 dhe ribotuar nga Soli Deo Gloria në vitin 1990.


Ai që dëshiron që e tija grua t’i kryejë detyrat dhe falë ngushëllimin e saj, duhet të jetë besnik në kryerjen e detyrave që i takojnë burrit. Moskryerja e detyrave tuaja mund të shkaktojë dështimin e dikujt tjetër ndaj jush, ose më së paku do t’ju mundojë aq shumë dhe do të jetë kaq e hidhur për ju në fund, shumë më tepër sesa sikur nëse njëqind të tjerë të mos e kryenin detyrën e tyre ndaj jush. Një burrë i mirë ose do ta bëjë të mirë bashkëshorten e vet, ose lehtësisht dhe me shumë fitim do ta durojë një bashkëshorte të keqe. Prandaj do t’ju jap disa udhëzime për detyrën që ju takon, prej kryerjes së të cilës varet edhe lumturia juaj.


UDHËZIMI I. Burri duhet të marrë përsipër rolin kryesor të qeverisjes të mbarë familjes, madje edhe të vetë bashkëshortes. Për këtë arsye ai:

I. Duhet të punojë që të jetë i përshtatshëm dhe i aftë për rolin që ka marrë përsipër. Aftësia qëndron:

1. Në shenjtëri dhe urtësi frymërore, që të mësojë mënyrën se si duhet ta bëjë këtë dhe rregullin sipas të cilit duhet të veprojë, si dhe veprat kryesore që duhet të kryejë. Një burrë i paperëndishëm dhe i pafe as e njeh edhe as e do këtë përbërës kryesor të qeverisjes së familjes.

2. Në njohjen e mirë të veprave të thirrjes së tij dhe punëve me të cilat duhet të merren shërbëtorët e tij. Ata që nuk i njohin fare punët e tyre, do të jenë të pazotë që t’i drejtojnë shërbëtorët në kryerjen e tyre: veç nëse ia besojnë këtë pjesë të qeverisjes bashkëshortes ose një administratori që gëzon besimin e tyre të plotë.

3. Duhet të njohë mirë natyrën e zakonshme dhe dobësitë e qenieve njerëzore, që të dijë se sa dhe si duhet të durojë; gjithashtu duhet të njohë karakterin e veçantë, dobësitë dhe virtytet e atyre që i kanë rënë për pjesë që t’i drejtojë.

4. Duhet të jetë i pjekur që ta kontrollojë veten në qëndrimin ndaj tyre, i drejtë që ta trajtojë gjithsecilin ashtu siç e meriton, si dhe i dashur që t’i trajtojë ata në mënyrën më të mirë të mundshme fizikisht dhe frymërisht.

II. Duke u aftësuar për sa më sipër, duhet ta kthejë qeverisjen e mirë të vetes në përpjekjen e vet të përditshme, me qëllim që shembulli i tij të drejtojë qeverisjen e tij të të tjerëve.


UDHËZIMI II. Burri duhet t’i ndërthurë në një mënyrë të tillë autoritetin dhe dashurinë, saqë asnjë prej tyre të mos harrohet ose të fshihet, duke i ushtruar dhe mbajtur që të dy njëherësh. Dashuria nuk duhet të ushtrohet në mënyrë kaq të papjekur sa të shkatërrojë ushtrimin e autoritetit; dhe autoriteti nuk duhet të ushtrohet mbi bashkëshorten në mënyrë kaq autoritare, sunduese apo arrogante sa të shkatërrojë ushtrimin e dashurisë. Për shkak se dashuria juaj duhet të jetë një dashuri qeverisëse, po kështu edhe urdhërimet tuaja duhet të jenë që të gjitha urdhërime plot dashuri. Mos e humbni autoritetin tuaj, sepse kështu do ta keni të pamundur të ushtroni ofiqin e bashkëshortit ndaj gruas suaj ose të zotërisë mbi shërbëtorët tuaj. Prapëseprapë duhet të bëni kujdes që ta ushtroni autoritetin në përputhje me dashurinë martesore, jo me egërsi a mizori, kërcënime a goditje (përveçse në rast hutimi a humbje të mendjes, kur humbet aftësia për t’u sjellë në mënyrën e duhur siç i takon sjelljes së bashkëshortit ndaj bashkëshortes). Ka shumë raste barazie në të cilat autoriteti nuk duhet të ushtrohet; por nuk ka asnjë rast pabarazie ose padenjësie kaq të madhe që të përjashtojë ushtrimin e dashurisë martesore, ja pse ajo nuk përjashtohet në asnjë rast.


Udhëzimi III. Është detyra e burrave të imponojnë autoritetin e grave të tyre mbi fëmijët dhe shërbëtorët e familjes. Kjo sepse qeverisin që të dy së bashku mbi gjithë anëtarët vartës të familjes. Gratë mund të trajtohen me përbuzje nga fëmijët dhe shërbëtorët për shkak të dobësive të tyre, duke qenë këta të prirë që t’i shpërfillin dhe të mos iu binden atyre po qe se burri nuk ndërhyn në mbrojtje të nderit dhe autoritetit të tyre. Prapëseprapë kjo duhet të bëhet me kujdes me qëllim që: 1. Të mos përligjni asnjë gabim, ves a dobësi e grave tuaja. Mbase këto mund të fshihen ose të justifikohen për sa është e mundur, por asnjëherë nuk duhen pranuar apo mbrojtur. 2. Të mos nxisni bindjen ndaj çdo kërkese të paligjshme të tyre. Askush nuk ka autoritet që t’i kundërvihet ligjit të Perëndisë ose që të krijojë përjashtime nga zbatimi i tij. Ju veç do të mpakni autoritetin tuaj përpara personave të çdo lloj të kuptuari, nëse e përligjni çdo gjë që është kundër autoritetit të Perëndisë. Mirëpo, nëse urdhri jepet për kryerjen e veprimeve të ligjshme, edhe pse mund të jetë e bezdisshme për ju, duhet t’i qortoni vartësit për mosbindjen e tyre dhe të mos i lejoni ata që t’i shpërfillin urdhrat e bashkëshortes, as edhe të mos e ngrenë arsyen dhe vullnetin e tyre kundër tyre, duke thënë se nuk do t’i binden atyre. Si mund të ndihmojnë urdhrat e gruas në qeverisjen e shtëpisë tënde, kur lejoni që ato të mbeten pa u zbatuar?


Udhëzimi IV. Ju gjithashtu duhet të ruani nderin si edhe autoritetin e grave tuaja. Nëse ato vuajnë nga ndonjë dobësi çnderuese, kjo nuk duhet të përmendet nga fëmijët dhe shërbëtorët. Ashtu si i mbulojmë me kujdes pjesët më të pahijshme, (sepse pjesët tona më të hijshme nuk kanë nevojë për këtë) (1 Korintasve 12:23, 24), duhet të veprojmë edhe në këtë rast. Fëmijët a shërbëtorët nuk duhen lejuar që të sillen në mënyrë të pasjellshme a ashpër me to, as të mos i përçmojnë a t’i flasin me vrazhdësi, krenari ose me fjalë poshtëruese atyre. Bashkëshorti duhet t’ia marrë hakun çdo fyerjeje a përçmimi që ato pësojnë.


Udhëzimi V. Burri duhet të jetë më i mirë sesa gruaja në njohuri dhe të jetë mësuesi i saj në çështjet që i përkasin shpëtimit. Ai duhet ta udhëzojë në fjalën e Perëndisë, ta drejtojë në detyrat e veçanta që i përkasin asaj, ta ndihmojë që të mposhtë prishjen e saj dhe të përpiqet ta forcojë kundër tundimeve; në qoftë se ka ndonjë dyshim në lidhje me një çështje të besimit që ai mund ta zgjidhë për të, atëherë duhet të kërkojë këshillën e tij dhe shtjellimin në shtëpi të gjërave që nuk i kuptoi dot gjatë shërbesës së përbashkët në kishë (1 Korintasve 14:35). Mirëpo, nëse burri është i paditur, ose e ka bërë veten të paaftë për ta udhëzuar gruan e tij, ajo nuk duhet ta pyesë atë më kot, që t’i mësojë asaj gjëra që ai nuk i kupton vetë. Ata burra që e përçmojnë Fjalën e Perëndisë dhe jetojnë në padituri të vullnetshme, jo vetëm që përçmojnë vetë shpirtin e tyre, por edhe shpirtrat e anëtarëve të familjes së tyre. Po ashtu, duke e bërë veten të pazotë për detyrat e tyre, ata shpesh përçmohen nga të nënshtruarit e tyre: sepse Perëndia e ka thënë këtë në mesazhin e tij ndaj Elit te 1 Samuelit 2:30: “Sepse unë nderoj ata që më nderojnë, por ata që më përçmojnë do të përçmohen gjithashtu nga ana ime”.


Udhëzimi VI. Burri duhet të jetë mësuesi kryesor i familjes. Duhet t'i udhëzojë, shqyrtojë dhe drejtojë anëtarët e familjes në çështjet e Perëndisë, si dhe në shërbimin e Tij, por edhe të sigurohet që Dita e Zotit (e diela) dhe adhurimi i Tij gjatë saj të mbahen nga të gjithë ata që janë brenda portave të shtëpisë së vet. Prandaj, ai duhet të përpiqet që të mësojë edhe të aftësohet për gjithë sa është e nevojshme për kryerjen e kësaj detyre. Nëse është i paaftë ose moskokëçarës, është në mëkat dhe ky mëkat do të jetë edhe turpi i tij. Nëse gruaja është më e mençur dhe më e zonja dhe e merr ajo përsipër këtë detyrë, turpi nuk do t’i ndahet atij; por nëse asnjë prej tyre nuk e kryejnë këtë detyrë, mëkati, turpi dhe vuajtja, do të jetë e përbashkët për të dy.


Udhëzimi VII. Burri duhet të jetë zëdhënësi i familjes, në lutjet e tyre të përbashkëta drejtuar Perëndisë. Prandaj, duhet të dijë se si të lutet dhe duhet të ketë një zemër lutëse. Duhet të luajë rolin e priftit të shtëpisë dhe për rrjedhojë duhet të jetë më i shenjti, që të mund të jetë i përshtatshëm për të qëndruar si ndërmjetës mes familjes dhe Perëndisë, si dhe për të ofruar lutjet e tyre tek Ai. Nëse kjo detyrë i lihet gruas, atëherë turpi nuk do të ndahet prej tij.


Udhëzimi VIII. Burri duhet të jetë siguruesi kryesor (e në mënyrë të rregullt) për familjen e tij. Mendohet që ai është më i afti sa i përket aftësive mendore e fizike dhe është administratori kryesor i të mirave dhe zotërimeve të familjes së vet. Prandaj, duhet të bëjë kujdes të veçantë që gruas edhe fëmijëve të mos i mungojë asgjë nga gjërat që i duhen, të cilat ai është i aftë që t’i sigurojë.


Udhëzimi IX. Burri duhet të jetë anëtari më i fortë i familjes sa i përket durimit; duke i duruar dobësitë dhe pasionet e gruas; jo për ta nënvleftësuar mëkatin që kryhet kundër Perëndisë, por për të mos e bërë veten të brishtë përpara gruas dhe për të ruajtur dashurinë dhe paqen që duhet të jetë gjendja e natyrshme e marrëdhënies së tyre.


Udhëzimi X. Mënyra e kryerjes të gjitha detyrave gjithashtu duhet të trajtohet me shumë kujdes. Me qëllim që: 1. Ato të bëhen në pjekuri, dhe jo me sjellje të pamend, të nxituar, të shkujdesur dhe të papeshuar si duhet. 2. Gjithçka të bëhet me dashuri dhe butësi bashkëshortore, duke pasur parasysh që ajo është ena më e dobët dhe delikate; dhe që bashkëshorti të mos e mësojë, urdhërojë a qortojë gruan e vet, në të njëjtën mënyrë autoritare siç vepron ndaj një fëmije a shërbëtori. 3. Të ruhet intimiteti i duhur, pra, që të mos krijohet asnjë largësi apo ftohje mes bashkëshortëve. 4. Dashuria të jetë e sigurt, e pastër prej dyshimeve dhe xhelozisë të paarsyeshme. 5. Gjithçka të bëhet me butësi, larg pasioneve, vrazhdësisë, dhe thartisë. 6. Të mos ketë asnjë fshehje të padrejtë dhe të pashkak të sekreteve, në dijeni të të cilave duhet të jenë që të dy. 7. Të mos i tregohen bashkëshortes sekrete të tilla që mund të kthehen në një lak për të dhe që ajo nuk është e aftë që t’i mbajë si të tilla. 8. Asnjë nga punët e tyre që duhet të mbahet sekret të mos dihet nga të tjerët. Sa herë që e mëson apo qorton të shoqen duhet ta bëjë larg syve të të tjerëve, në fshehtësi. 9. Të jetë i qëndrueshëm edhe të mos lodhet në dhënien e dashurisë dhe kryerjen e detyrave të tij. Ky ishte thelbi i çështjes.

No comments:

Post a Comment

SHËNIM:
Të Gjitha të Drejtat të Rezervuara. Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta shpërndani këtë material me kusht që të mos ndryshoni fjalët dhe gjithashtu të citoni burimin, nga është marrë materiali.