Më të Fundit

10/recent/ticker-posts

Reformacioni Protestant vs Ungjillorizmi Modern

 


Në 31 Tetor ishte Dita e Reformacionit Protestant ku u përkujtua gozhdimi i 95 tezave të Martin Luterit në derën e kishës së Vitenbergut dhe qëndresa e tij kundër gabimit, kundër mësimeve njerëzore, kundër kishës katolike dhe qëndrimi i tij i patundur për të vërtetën biblike (me pas edhe Reformatorët e tjere). Por shumë ungjillorë sot, ndonëse e përkujtojnë këtë ditë, i kanë braktisur të vërtetat që u rikuperuan nga Reformacioni dhe Reformatorët. Po, ata i kanë braktisur ato!

Përpara se të shpjegoj sesa larg ungjillorizmi modern është larguar nga Protestantizimi i Luterit dhe Reformatorëve të tjerë dhe nga Bibla, së pari, më lejoni të flas për një nga burrat e asaj kohe.

Jan Husi jetonte në Pragë dhe pasi kishte lexuar shkrimet e Xhon Uiklifit (John Wycliffe) binte dakord që kleri ishte i korruptuar dhe kishte nevojë për reformim. Ai filloi të predikonte idetë e Reformimit në kishën e tij në Pragë dhe kjo bëri që të akuzohej për krime të mëdha kundër Kishës Katolike. Ai tha: "Nuk do ta braktis të vërtetën as për një kishë të mbushur me flori".

Për shkak të qëndrimit të tij për të vërtetën biblike e dënuan me vdekje në turrën e druve. Kur erdhi dita e ekzekutimit e tallën dhe e mallkuan. Një kurorë të gjatë ia vendosën në kokë ku ishin pikturuar tre diaj që po luftonin për të zotëruar shpirtin dhe ku ishte shkruar "kreu i heretikëve". Peshkopët i'a dorëzuan shpirtin e tij djallit, por Husi u përgjigj: "Kurse unë i'a kushtoj më të mëshirshmit Zotit Jezu Krisht."

Një "mik" i Hasit, Mbreti Venceslas, që ishte gjithashtu vëllai i perandorit, nuk bëri asgjë për të ndaluar ekzekutimin.

Kur arriti te vendi që do të ekzekutohej i kërkuan për herë të fundit që të hiqte dorë nga idetë e tij. Husi tha: "Perëndia është dëshmitari im që provat kundër meje janë të rreme. Kurrë nuk kam menduar apo predikuar përvecëse me qëllimin e vetëm që nëse është e mundur t'i fitoj njerëzit nga mëkatet e tyre. Në të vërtetën e ungjillit kam shkruar, mësuar dhe predikuar; për këtë të vërtetë do të vdes me guxim."

Atij i'a hoqën rrobat, i'a lidhën duart pas shpine dhe pastaj e lidhën nga qafa me një zinxhir të ndryshkur te turra e druve. Me një buzëqeshje ai tha se Shpëtimtari i tij u lidh me një zinxhir edhe më të rëndë. Kur u ndez zjarri, Husi filloi të këndonte, "Krisht, Biri i Perëndisë së gjallë, ki mëshirë për ne", pastaj: "Krisht, Biri i Perëndisë së gjallë, ki mëshirë për mua". Një prift që po shihte ekzekutimin raportoi se para se Husi të vdiste tha: "Ju mund të piqni këtë patë (Hasin - mbiemri i tij do të thoshte "patë" në gjuhën ceke) por pas një shekulli do të cohet një mjellmë e cila do të triumfojë." Saktësisht 102 vite më vonë, Martin Luteri do të gozhdonte 95 tezat e tij në derën e kishës së Vitenbergut dhe kështu do të fillonte transformimi i gjithë Europës e më tej.

Sot, shumë ungjillorë në doktrinë dhe teologji janë më afër dhe më të ngjashëm me kishën katolike sesa me Reformatorët Protestantë! Si shihet kjo?

1. Nëse sot do të qendrosh per te verteten biblike, per doktrinen e shëndoshë dhe kundër gabimit ashtu sic edhe Martin Luteri bëri, do të të shohin si përcarës dhe ekstremist. Si përcares dhe si "derr ne vreshtin e Zotit" e pa edhe papa dhe Kisha Katolike Martin Luterin.

2. Në këtë epokë të "tolerancës" dhe për hir të "unitetit" ata kanë braktisur doktrinën dhe pranojnë cdo gjë për sa kohë ka etiketen "e krishterë". “Uniteti është bekim i madh, por është i pavlerë nëse është blerë me koston e së vërtetës” (J. C. Ryle) dhe “Sakrifikimi i të vërtetës për hir të një uniteti të rremë është tradhëti ndaj Zotit Jezu Krisht.” (Spurgeon). Për shumë fjala "doktrinë" shkakton alergji kur ajo nuk është asgjë tjetër vecëse 'mësim'. Doktrina biblike është mësimi biblik dhe të mohosh doktrinën është të mohosh mësimin biblik! Për shkak se për hir "të unitetit" ungjillorët e kanë braktisur ose nuk i kushtojnë rëndësi doktrinës së shëndoshë mësuesit dhe mësimet e rreme njerëzore e kanë mësyer ungjillorizmin.

3. Një nga Solat e Reformacionit ishte Sola Scriptura - Vetëm Shkrimi. Shkrimi është standarti dhe baza për jetën dhe praktikën. Por sot në ungjillorizëm ka një braktisje të Shkrimeve dhe secili bën atë që duket e mirë dhe e drejtë në sytë e tij. “Në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij (Gjyqtarët 17:6, 21:25). Në teori, shprehen se bazohen te Bibla, por në të vërtetë filozofitë humaniste, psikologjia, ndjenjat dhe emocionet janë udhëheqësit e tyre.

4. Argëtimi ka zëvendësuar predikimin. Anektodat dhe historitë gallatë kanë zëvendësuar Ekspozimin e Shkrimit. Predikimet motivuese, lajkatuese dhe të zbutura kanë zëvendësuar predikimet për mëkatin, pendesën, dhe shenjtërinë.

5. Në atë kohë kisha katolike besonte se shpëtimi nuk ishte vetëm prej hirit, por një bashkëpunim midis Zotit dhe njeriut. Dhe kështu nje Sola tjetër e Reformatorëve ishte Sola Gratia - Vetem Hiri. Reformatorët kundërshtuan me forcë shpëtimin e kishes katolike romake që ishte hir + ca gjëra që bëjme ne. Ata mësuan që rilindja nga lart vjen përpara besimit dhe se shpëtimi ynë është vetëm prej hirit. Por kjo e vërtetë ka humbur sot. Ndonëse ungjilloret sot mund të shprehen që shpëtimi është vetëm prej hirit në të vërtetë ata nuk e besojnë atë. Ata sot besojnë që për shpëtimin tonë, ca % i bën Perëndia dhe ca % i bëjmë ne. Të njëjtët persona që të thonë teorikisht që shpëtimi është vetëm prej hirit po të njëjtët persona do të të thonë pastaj që shpëtimi është një bashkëpunim midis Perëndisë dhe njeriut. Edhe një herë: "Shpëtimi... është... një bashkëpunim... midis... Perëndisë... dhe njeriut...". Ky nuk është një shpëtim VETEM prej Hirit. Ky është shpëtim hir + vepra (disa gjëra që ne bëjmë) që sjellin shpëtimin tonë. Ky mësim njerëzor që thotë se shpëtimi është një bashkëpunim u hodh poshtë nga e gjithë kisha e krishterë dhe nga Reformatorët në Sinodin e Dortit, në Hollandë, por ky mësim është shumë prevalues sot. Ky mësim bën autorin e shpëtimit jo Perëndinë, por njeriun. Ata inorojnë plotësisht vargjet që flasin që njeriu është i vdekur shpirtërisht, i verbër dhe i pa aftë të vijë vetë (Mateu 16:17, Gjoni 1:13, 3:19,20, 8:44, Romakët 3:12, 8:7, 1 Korintasit 1:18, 2:14, 2 Korintast 4:3,4, ) është Perëndia ai që na tërheq te Biri (Gjoni 6:44), është Perëndia ai që ndryshon zemrën tonë (Veprat 16:14) dhe na ripërtërin përpara se të besojmë (Gjoni 1:13 3:3), dhe se është Perëndia ai që na jep pendesën dhe besimin (Veprat 11:18, 18:27, Efesianët 2:8,9, Filipianët 1:29, 2 Timoteu 2:25) që Ai vetë kërkon. Të gjithë këto gjëra që Perëndia bën ata ia atribuojnë njeriut, fuqisë dhe aftësisë së njeriut dhe vullnetit të tij "të lirë". Kështu ata lartësojnë njeriun dhe ulin Perëndinë. Cdo mësim i rremë, në fakt, gjithmonë do të lartësojë njeriun dhe veprat e tij dhe do të ulë Perëndinë.

6. Kisha katolike besonte në fuqinë dhe aftësinë e njeriut për ti sjellë shpëtimin vetes. Ajo mësonte se njeriu është thjesht i plagosur nga mëkati dhe i lirë. Të gjithë Reformatorët e kundërshtuan këtë dhe thanë atë që Bibla thotë, njeriu është i vdekur në mëkat (Efesianët 2:1) dhe vullneti është skllav i mëkatit (Gjoni 8:34, 2 Timoteu 2:26, Titi 3:3) dhe se ai nuk mund ta shpëtojë dot vetveten ( Jona 2:10, Jobi 14:4, Jeremia 13:23, Romakët 8:7, Gjoni 3:20). Perëndia duhet të ndërhyjë.

7. Kisha katolike e mohonte zgjedhjen apo paracaktimin e Perëndisë për shpëtimin tonë, ndërsa Reformatorët i besonin dhe i mësonin ato, sepse Bibla i mëson fort ato. Por sot kishat ungjillore janë bërë palë me kishën katolike dhe i mohojnë këto të vërteta të mëdha biblike që tregojnë për hirin dhe shpëtimin e madh të Perëndisë, ose përpiqen tu japin një kuptim tjetër.

8. Teologjia e Reformuar kishte në qëndër Perëndinë dhe ja jepte të gjithë lavdinë Perëndisë dhe rrjedhimisht predikimet dhe ungjilli kishte në fokus Perëndinë. Sot, në ungjillorizëm në fokus është njeriu. Për shkak se njeriu shihet si i lirë, i aftë, i fuqishëm, si autori dhe shpëtimitari vetes së tij, 1. Gjithcka është kthyer rreth njeriut, lajkatimit të njeriut, suksesit të njeriut, prosperitetit të njeriut, motivimit të njeriut, lavdërimit të njeriut, ngritjes së njeriut dhe lartësimit të njeriut. 2. Ungjilli është zbutur, sepse nëse shpëtimi është në dorën e tij, atëhere le ta bëjmë atë më të pëlqyeshëm dhe më të butë.

9. Shumë ungjillorë, në të njëjtën kohë që përkujtojnë Reformacionin dhe janë pasardhës të Reformacionit Protestant kanë alergji nga Reformatorë të caktuar dhe nga mësimet e Reformacionit, sidomos nga fjala 'kalvinizëm'. Një kalvinist nuk është një ndjekës i Kalvint, por një person që përqafon mësimet e Biblës që u rikuperuan në Reformacion. Ai nuk është asgjë tjetër vecëse një pseudonim për krishtërimin biblik. Kur ne përmëndim fjalën 'kalvinist' nuk po themi që po ndjekim Kalvinin, por që besojmë mësimin biblik dhe të vërtetat e mëdha që u rikuperuan gjatë Reformacionit. Të vërtetat biblike qëu rikuperuan në Reformim kishin si shpalosës më të madh të tyre Kalvinin dhe prandaj njihet edhe si ky emërtim. Por është një Rikthim te Bibla.

10. Disa ungjillorë shprehen se ata nuk janë as arminianë dhe as kalvinistë. Kjo nuk është e vërtetë. Personi mashtron vetveten. Kjo thjesht tregon padituri ose/dhe mossinqeritet. Ti ose beson që shpëtimi është një bashkëpunim ose beson që është vetëm prej Perëndisë. Ti ose beson ne vullnetin e lirë që njeriu vjen vetë tek Perëndia ose beson që ai është skllav i mëkatit dhe për pasojë kur zgjedh do zgjedhe gjithmonë mëkatin në vend të Krishtit sepse mëkatin do, kjo derisa Perëndia të ndërhyjë në mënyrë të mbinatyrshme për ta bërë të shohë dhe ti ndryshojë zemrën për të dëshiruar Perëndinë. Ti ose beson që ti ke zgjedhur Perëndinë ose beson që Perëndia të ka zgjedhur ty përpara se të krijoheh bota (Efesianët 1). Nuk ka rrugë të mesme. Ashtu si në rastin tim për shumë vite, ndonëse nuk e njihja fare termin "arminian" dhe as nuk e dija cfarë ai mësonte, me vetëdije apo jo, atë besoja.

Në këtë epokë moderne ku jetojmë sot kemi më shumë nevojë se kurrë për burra si Jan Husi dhe si Martin Luteri dhe reformatorët e tjerë që dhanë jetën e tyre. Ata dhanë jetën e tyre për të vërtetat biblike dhe për reformimin e kishës. Eshtë llogaritur që 50 milionë burra, gra e fëmijë u vranë dhe u dogjën në turrën e druve nga katoliket për shkak se besonin dhe qëndronin për të vërtetat biblike qe u rikuperuan gjate Reformacionit. Por sot, trishtueshëm, kisha është larguar nga Shkrimet dhe të vërtetat për të cilat vdiqën miliona protestantë.

Sot vëmëndja është te njeriu, te përvoja, te vegimet, te emocionet, te argëtimi, te aktivitetet, si të ndihemi më mirë, te vetë-vlerësimi, te vetë-përmbushja, te pasuria, te pushteti, te prosperiteti, te psikologjia, te ngritja e njeriut, te promovimi i njeriut, te fuqia e njeriut, te vullneti i lirë i njeriut, te ulja e Perëndisë që nuk mund të bëjë asgjë pa lejen tonë, ku Perëndia shihet si shërbëtor i njeriut, si Perëndi i pafuqishëm, si Perëndi që është më shumë reagues sesa veprues, me një ungjill të zbutur që nuk ka fuqi, te lajkatimi, te strategjitë mishërore, me taktika marketingu, te gjysmë të vërtetat, te vendimet njerëzore dhe që kanë zëvendësuar ripërtëritjen/rilindjen prej së larti, te mos të folurit për mëkatin, për pendesën, për gjykimin, për zemërimin e Perëndisë, etj, etj.

Sot na thuhet se nuk duhet të diskutojmë, se nuk duhet të debatojmë, se "doktrinat nuk kanë rëndësi", se këto janë përcarëse. Sot, shumë duan që t'u gudulisen veshët. Shumë janë gati të sakrifikojnë të vërtetën në altarin e paqes dhe unitetit dhe ku shumë duan të ndërtojnë mbretërinë e tyre. Sot, më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për burra që e duan të vërtetën, e shpallin atë dhe e mbrojnë atë, dhe që janë gati të vdesin për të. Kur kisha rikthehet te rrugët e vjetra ajo është e fuqishme dhe e ndryshon komplet vendin sic edhe ndodhi gjatë Reformacionit, por kur kisha i braktis të vërtetat e vjetra, shtigjet e vjetra, ajo është pa fuqi.

Martin Luteri dhe Reformatoret e tjere do vinin duart në kokë nëse do shihnin atë që ka ndodhur në ungjillorizimin modern! Kisha sot është në nevojë të dëshpëruar për një Reformacion edhe më të madh. Ne sot kemi nevojë për një Reformacion te Ri. Ne kemi nevojë të pendohemi dhe të rikthehemi përseri te Bibla ashtu si 503 vite më parë.

Hiri i Zotit qofte me ne, na ndihmoftë, na coftë në pendesë dhe na riktheftë tek Bibla.


Soli Deo Gloria

Bestar Flamuraj


Post a Comment

0 Comments